Ministri Murati ka një njoftim me rëndësi për regjistrimin e veturave

  • G.G /
  • 08 October 2021 - 12:44
Ministri Murati ka një njoftim me rëndësi për regjistrimin e veturave

Ministri i Financave, Transfereve, Punës dhe Mirëqenies Sociale, Hekuran Murati, ka njoftuar se qytetarët të cilët regjistrojnë veturat, tash e tutje nuk do të kenë nevojë për vërtetim të tatimit në pronë për ta bërë një gjë të tillë.

Murati ka shkruar në Facebook se sot ka nisur në Qeveri Projekt-rregulloren mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të paguara të tatimit në pronë.

“Nuk do të ketë më nevojë për vërtetim të tatimit në pronë që të regjistrohet vetura! Sot kam nisur për në Qeveri Projekt-Rregulloren mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë. Me anë të kësaj rregulloreje përcaktohen shërbimet që mund të pezullohen nga komuna, në rast se pala ka detyrime të papaguara të tatimit në pronë. Aktualisht, për të regjistruar një veturë, pronari i veturës kërkohet që të nxjerrë edhe vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë”, ka shkruar Murati.

Murati thotë se pas miratimit të projekt-rregullores në Qeveri, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën.

“Kurse me projekt-rregulloren e re, pas miratimit të saj në qeveri, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën. Kjo e lehtëson procesin e regjistrimit të veturave, sepse heq një detyrim që në fakt ka qenë barrë e vetëm atyre që kanë paguar me rregull faturat e tatimit në pronë (dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare me nxjerrë këtë vërtetim)”, ka shkruar Murati.

Ministri Murati ka bërë të ditur se kjo do ta ulë numrin e veturave të paregjistruara, që është njëri nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.

“Po ashtu, kjo ul edhe numrin e veturave të paregjistruara, që është njëri nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, dhe heqjes së pagesë së policave kufitare për bashkatdhetarët tanë. Qytetarët megjithatë duhet të paguajnë me rregull faturat e tatimit në pronë, edhe pas heqjes së këtij detyrimi, sepse me ligjin e ri që rregullon këtë çështje, të gjithë personat që kanë borxhe mbi 300 euro, do të trajtohen përmes përmbaruesit”, ka shkruar Murati.

(Kosova Sot Online)