Pse po ikin kandidatët për Prishtinën nga njëri-tjetri?

  • G.G /
  • 08 October 2021 - 15:03
Pse po ikin kandidatët për Prishtinën nga njëri-tjetri?

Arben Vitia nga LVV-ja, Përparim Rama nga LDK-ja, Uran Ismaili nga PDK-ja, Daut Haradinaj nga AAK-ja dhe Gëzim Mehmeti nga AKR-ja, garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit për kryetar të Prishtinës.

Fushata elektorale tashmë ka nisur intensivisht dhe kanë mbetur vetëm edhe dy javë kur qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit lokalë.

Gara më e fortë mbetet kryeqyteti ku edhe subjektet politike masin forcat e tyre në elektorat.

Por ajo që vërehet në kryeqytet, ndryshe nga komunat e tjera, është se nuk ka një ballafaqim në studio televizive ndërmjet kandidatëve për kryetar të Prishtinës, megjithëse kjo është kërkuar me ngulm nga dy prej tyre, Daut Haradinaj i AAK-së dhe Uran Ismaili i PDK-së.

Haradinaj është shprehur se Prishtina e qytetarët e saj kanë nevojë t’i shohin e dëgjojnë idetë, planet e projektet e secilit dhe përballë njëri-tjetrit.

Një kërkesë të tillë e ka patur edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.

Ismaili ka thënë se është e çuditshme se si kandidatët e tjerë po hezitojnë të dalin në debat publik.

Ballafaqimi publik ndërmjet kandidatëve po kërkohet me ngulm edhe nga qytetarët dhe po shihet si tepër e nevojshme nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu, tha se duhet patjetër të ketë një përballje mes kandidatëve për kryetar të Prishtinës.

Spahiu tha se ky ballafaqim është shumë i nevojshëm për disa arsye.

“Po besoj që do të duhet të ketë përballje mes të gjithë kandidatëve në të gjitha komunat. Përballja tregon shumçka, kështu që një përballje është mëse e nevojshme. Publiku ka nevojë me pas përballje qoftë mes kanidatëve për kryeministër, presidentë, kryetarë komunash etj” tha Spahiu për “Gazeta Blic”

Edhe analisti Shemsi Jashari, po thotë se debati mes kandidatëve për kryetar të Prishtinës është i domosdoshëm.

Jashari thekson se refuzimi i debatit duhet të shihet si mungesë serioziteti dhe oferte dhe si i tillë duhet të ndëshkohet me votë.

“Fushata zgjedhore e cila po zhvillohet tani, ka specifikat e veta për shkak të gjendjes së pandemisë “Covid 19” dhe kufizimeve si në grumbullime ashtu edhe në lëvizje, prandaj perdorimi i rrjeteve sociale për të bërë fushatë po përdoet si mjeti kryesor për të paraqitur oferten e vet politike secili kandidat.Kjo formë e komunikimit me qytetarë është e mirë por ka te metat e saj pasi nuk lejon shumë debat dhe sqarim të dilemave dhe pyetjeve që qytetarët i kanë rreth ofertes politike. Prandaj debati ku do të ballafaqoheshin kandidatët me ofertat e tyre është shumë i nevojshë”.

“Debat duhet të ketë dhe asnjë kandidat nuk duhet ti frikësohet debatit. Refuzimi i debatit mes kandidatëve nga cilido kandidat duhet të shihet si jo serioze dhe mungesë oferte, prandaj edhe meriton ndëshkim me votën e qytetarëve.Perveç një vlerë demokracie që përmbush debati mes kandidatëve në rastin e kushteve që po mbahen këto zgjedhje është edhe domosdoshmëri për ti dhënë mundësi qytetarit ta njoh dhe vlersoj secili kandidat i cili kërkon besimin tonë” potencoi Jashari .

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, ndan të njëjtin mendim.

Ramadani thotë se përballja mes tyre është e nevojshme për të qartësuar edhe panoramën zgjedhore dhe mundësitë që i kanë qytetarët për të zgjedhur.

“Ballafaqimi i kanididatëve është i domosdoshëm sepse përballja e tyre e qartëson panoramën zgjedhore dhe mundësitë që qytetarët i kanë para vetes për të zgjedhur në ditën e zgjedhjeve. Eshtë e pakuptimtë që nuk ka patur deri tani debat mes kandidatëve sepse  një gjë e tillë ka ndodhur në të gjitha komunat e Kosovës. Në 38 komuna të Kosovës kandidatët janë prezantuar në secilën studio televizive, pra minum nga 4-5 debate i ka patur secili qytet. Prishtina nuk duhet të bëjë përjashtim dhe si qyteti më i rëndësishëm, me peshën më të madhe politike për vendin nuk mund të privohet nga debati” tha Ramdani.

Ndërsa ndryshe nga kandidatët për kryetarë të Prishtinës, kandidatët për kryetarë të komunave të tjera në Kosovë po ballafaqohen çdo natë në studio televizive dhe po shpalosin programin e tyre.

(Kosova Sot Online)