Kurti thotë se Arabia Saudite dha kontribut në Pavarësinë e Kosovës

  • E.K /
  • 08 October 2021 - 19:15
Kurti thotë se Arabia Saudite dha kontribut në Pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Kosovë, Faisal Ghazi Hafizi.

Ai i uroi ambasadorit mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e tij të re.

“Kontributi dhe roli i Arabisë Saudite për pavarësinë e vendit sikurse dhe ndihma socio-ekonomike dhe mbështetja e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi se Kosova dhe Arabia Saudite janë miq dhe partnerë me lidhje të shumta dhe të mira”, tha gjatë takimit kryeministri Kurti.

Kryeministri e falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen që ajo i kishte dhënë Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në 2011 konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme.

Ai shtoi se qeveria që udhëheq është e gatshme të rris bashkëpunimin me qeverinë e Arabisë Saudite në shërbim të marrëveshjeve të reja mes dy vendeve, sidomos në fushën e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, që i përgjigjen interesave të përbashkëta.

Kryeministri po ashtu përmendi dhe potencialin e Kosovës për turizëm dhe agrokulturë duke marrë parasysh pozitën e saj gjeografike në Ballkan.

Ambasadori Hafizi e falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen.

Ai ia përcolli kryeministrit Kurti përshëndetjet nga mbreti dhe familja mbretërore e Arabisë Saudite.

U shpreh se vendet dhe popujt tonë kanë lidhje vëllazërore, kulturore dhe fetare, dhe tha se do të punojë në konsolidimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona. 

(Kosova Sot Online)