Prokuroria pranon raportin e Mjekësisë Ligjore për Margiona Osmanin, ende s’ka aktakuzë ndaj Dardan Krivaçës

  • G.G /
  • 11 October 2021 - 11:56
Prokuroria pranon raportin e Mjekësisë Ligjore për Margiona Osmanin, ende s’ka aktakuzë ndaj Dardan Krivaçës

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë lidhur me rastin e 18 vjeçares Marigona Osmani.

Këtë e ka bërë të ditur për arbresh.info Zyra për informim dhe monitorim të mediave e prokurorisë, duke shtuar se në momentin e ngritjes së aktakuzës për rastin në fjalë, do të njoftohet me kohë opinionin publik.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë lidhur me rastin e 18 vjeçares M.O., mirëpo, për shkak të procesit të hetimeve, nuk mund të japim detaje nga ky raport. Ndërsa, në momentin e ngritjes së aktakuzës për rastin në fjalë, do të njoftohet me kohë opinionin publik”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për arbresh.info.

18-vjeçarja nga Ferizaj u la pa shenja jete në hyrje të spitalit nga bashkëjetuesi i saj, Dardan Kirvaça, dhe një person tjetër pasi dyshohet se e kishin dhunuar për dy ditë me radhë.

Dardan Krivaça, që po mbahet në paraburgim, Gjykata Themelore në Ferizaj bëri të ditur se ka të evidentuara gjithsej dhjetë (10) lëndë, prej tyre nëntë (9) të përfunduara, ndërsa vetëm një (1) është e papërfunduar për vepra të ndryshme.

Ndaj Krivaçës ende nuk është ngritur aktakuzë.

(Kosova Sot Online)