Aeroplani rrëzohet mbi një lagje, dy të vdekur e disa shtëpi të djegura

  • E.K /
  • 12 October 2021 - 13:01
 Aeroplani rrëzohet mbi një lagje, dy të vdekur e disa shtëpi të djegura

Një aeroplan është rrëzuar mbi një lagje afër San Diegos së Shteteve të Bashkuara, duke lënë së paku dy të vdekur e duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Aeroplani i tipit “Cessena 340” ra mbi një kamionetë të postës, duke e lënë të vdekur vozitësin, dhe më pas goditi disa shtëpi të hënën në Santee, vendbanim me rreth 50.000 persona. Besohet se edhe piloti ka vdekur dhe dy persona të tjerë u lënduan.

Një grua u nxor nga dritarja e një shtëpie që po digjej. Për këtë dhanë ndihmë fqinjët, shkruan Associated Press.

Në një incizim të komunikimit, të siguruar nga një televizion lokal, kontrollori dëgjohet duke e paralajmëruar pilotin para aksidentit: “Paralajmërim për lartësi të vogël, ngrihu menjëherë, ngrite aeroplanin.”

Në vendin e ngjarjes të martën në mëngjes pritet të shkojë një hetues nga Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit. Aeroplani i rrëzuar ishte pronë e Dr. Sugata Das, i cili mund të ketë qenë duke e drejtuar mjetin dhe mund të ketë vdekur në aksident.

(Kosova Sot Online)