Imamët ekstremistë të 'Ujqve të vetmuar' në rrjetën e policisë

  • g./g /
  • 12 October 2021 - 13:40
Imamët ekstremistë të 'Ujqve të vetmuar' në rrjetën e policisë

“Dron, eksplozivë e armë” u sekuestruan gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në Pejë e Prizren, këtë të dielë. Cak ishte një grup që  dyshohet se i përket rrymave fetare ekstremiste, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se pas një hetimi disa mujor është zhvilluar ky aksion nga Drejtoria Kundër Terrorizmit që ka rezultuar me pesë persona të arrestuar. Mirëpo, aksioni i nisur të dielën ende nuk ka përfunduar. Syri.net Kosova nga burimet të ndryshme merr vesh se shumë shpejt priten edhe arrestime të tjera, përfshirë edhe prijës fetarë ku të arrestuarit e dy ditëve më parë ishin xhemati i tyre.

E diela e 10 tetorit nuk përfundoi ashtu siç ishte planifikuar nga Ardian Gjuraj, apo i njohur në të kaluarën edhe si Ardian Qerkinaj. Ai bashkë me Mentor Bellaqa, Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi, u arrestuan për shkak të dyshimeve se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë. Ky grup shokësh u monitoruan për disa muaj nga institucionet e sigurisë së Kosovës dhe atyre amerikane – shkruan Syri.net Kosova.

Gjatë bastisjes së Policisë në shtëpitë e të dyshuarve u gjetën një arsenal armësh nga më të ndryshmet, përfshirë dron, eksplozivë e anti-tank. E për provat që posedon organi i akuzës dhe dyshimet për veprimtari ekstremiste, që kishin planifikuar ti kryenin, ky grup sot do të dal para Gjykatës.

Të arrestuarit janë emra të njohur për organet e sigurisë. Dy prej tyre edhe në të kaluarën ishin pjesë e grupeve terroriste ose të paktën kishin tentuar t’i bashkoheshin atyre grupeve por si në rastin e Gjurajt kishin dështuar.

Por a ishin vetëm këta emra në grupin e njohur si “Ujqit e vetmuar” ? Kush fshihet prapa tyre?  Syri Kosova përmes burimeve të tij merr vesh se çerdhja e tyre është në Mitrovicë, por që pjesëtarët janë nga të gjitha rajonet e Kosovës. Madje në mesin e tyre si udhëzues për rrugën e ‘drejtë’ janë edhe disa hoxhallarë.

Syri ka siguruar emrat e këtyre imamëve që kanë ligjëruar për të arrestuarit, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe mos dëmtim të hetimeve, do i publikojmë vetëm inicialet.

Ata janë: S.P, K.K, M.G imam në Pejë, E.A imam në Mitrovicë dhe L.S imam në Prizren.

Sipas informacioneve që Syri ka siguruar, këta persona janë duke u monitoruar nën dyshimin se po frymëzojnë grupet ekstremiste për mënyrën se si duhet të jetohet dhe veprohet brenda territorit të Kosovës, gjithmonë duke u bazuar në ligjin e sheriatit.

Por sa po cenohet siguria e Kosovës nga grupet ekstremiste dhe a mund të rrezikohet realisht vendi ynë? - Syri Kosova ka biseduar me ekspertin e sigurisë, Bedri Elezin i cili ka thënë se me konfiskimin e një arsenali armësh do të thotë se kemi të bëjmë me një situatë shumë serioze dhe që po cenohet siguria, e që mund të ketë pasoja në fusha të tjera.

“Sa i përket cenimit të sigurisë së Kosovës, është normale të kuptohet se nga raste të tilla cenohet siguria në mënyrë të drejtpërdrejt ngase kemi të bëjmë me sulme terroriste. Ne kemi pasur rastin të shohim një komunikatë të prokurorisë speciale të Kosovës, e cila konfirmon arrestimin e 5 personave, të cilët dyshohet se kishin për qëllim organizimin e sulmeve terroriste në Kosovë. Referuar këtyre pretendimeve, atëherë kemi të bëjmë me një situatë shumë serioze e cila jo vetëm që cenon sigurinë, por ka edhe pasoja shume më të mëdha në fusha të ndryshme” shprehet Elezi.

Kurse njohësi tjetër i sigurisë Nuredin Ibishi tha se Kosova nuk është e përjashtuar nga sulmet e tilla, duke e pasur parasysh se një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës kanë marrë pjesë në organizatat terroriste në Irak e Siri.

Ibishi tha se veprimtaria e grupeve terroriste është ngushtuar në disa shtete e kjo paraqet rrezik të vazhdueshëm për Kosovën.

“Ne nuk mundemi të jemi të përjashtuar nga rrjedhat e terrorizmit ndërkombëtar duke e pasur parasysh se kemi pasur një numër të madh të pjesëtarëve që kanë qenë të involvuar dhe për disa prej tyre ende nuk dihet për fatin e tyre. Duke e pasur parasysh këtë kemi pritur që një moment mund të involvohen në akte terroriste dhe kjo është pritur pasi që në disa vende në Irak e në Siri dhe vende tjera atje i’u ka ngushtuar rrethi i veprimeve dhe pritet në çdo moment që të marrin aksione terroriste dhe mendoj se kjo paraqet një rrezik të vazhdueshëm për Kosovën”, tha Ibishi.

I pyetur se si dhe a mund ta parandalojnë institucionet e vendit një sulm terrorist, Ibishi shtoi se një gjë e tillë është e pamundur, pa ndihem e shteteve të cilat kanë marrë pjesë në operacionet luftarake anti-terroriste.

“Kjo është çështje komplekse, pa bashkëpunim ndërkombëtar SHBA-së dhe Bashkimit Evropian koalicionin qe ka qenë një kohë aktiv kundër terrorizmit për forcat Siri, Irak dhe pa këmbimin e informacionit kjo assesi nuk mund të bëhet vetëm nga burimet e brendshme çoftë të inteligjencës apo të policisë së Kosovës, apo njësisë anti-terroriste. Kjo është një çështje komplekse që shkon në këmbim të informacionit edhe më të vogël përveç sigurisë” deklaroi ai.

Në anën tjetër, Bedri Elezi thotë se nuk është punuar mjaftushëm për luftimin e këtyre rrymave ekstremiste. Ai kërkon që Qeveria e Kosovës të merret më seriozisht me këtë problematikë.

“Sa i përket asaj se a është duke u bërë mjaftueshëm për luftimin e këtyre dukurive, mendoj se fakti që ne kemi pasur shumë arrestime për sulme terroriste, atëherë për një vend i vogël siç është Kosova, të lenë të nënkuptosh se është bërë fare pak në luftimin e këtyre dukurive negative në Kosovë. Mendoj se qeveria e Kosovës duhet të merret seriozisht me problemin e ekstremizmit dhe radikalizmit. Kosova ka institucionet e saja si AKI-në, Policinë, por rezultat e tyre janë për dëshiruar. Qeveria e Kosovës duhet të ndërtuar programe koheherente për luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të cilët të shpien ne terrorizëm” shprehet Elezaj për Syri.net Kosovën.

Tutje, Elezaj shton se kapacitetet e Kosovës janë të mangëta për monitorimin e këtyre grupeve ekstremiste. Edhe pse në rastin konkret, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar këta persona kanë qenë nën vëzhgim që nga 2020-ta.

“Personat në fjalë, kanë qenë në monitorim të vazhduar që nga muaji tetor 2020, dhe përpos institucioneve të sigurisë nga ana e partnerëve ndërkombëtar, gjithashtu këta persona janë monitoruar edhe nga AKI dhe policia e Kosovës. Sa i përket kapaciteteve që Kosova ka, sigurisht se janë të mangëta, dhe sigurisht se kemi shumë nevojë në ndërtimin e institucioneve të reja të cilat merren me intelegjecë dhe hulumtime të informacioneve të natyrës së tillë. Ne i kemi rekomanduar qeverisë së Kosovës të themeloj një institucion të ri siç është Biroja Kosovare e Hetimeve, e cila duhet të ketë mandat ekzekutiv, por deri me tani nuk kemi parë zhvillime të cilat të bëjnë të besosh se është duke ndodhur një gjë e tillë” thekson Elezi për Syrin.

Ndërsa profesori i sigurisë, Hajrullah Tërnava ka dhënë sqarime se si veprojnëkëto grupe terroriste dhe qëllimin e tyre.

“Kohen në të cilën po jetojmë tani, e kur shërbime të ndryshme të shteteve për rreth dhe ma gjerë, e sidomos të atyre që janë armiqësisht të orientuar ndaj shtetit tonë, ata i kane qëllimet e tyre që ta destabilizojnë pavarësinë e Kosovës deri edhe në shkatërrimin e sajë. E që angazhohen duke investuar materialisht në ata bashkëpunëtor të tyre qofshin edhe që janë banorë të Kosovës, dhe përmes bashkëpuntorëve të tyre. Kur është fjala për llojet e ekstremistëve e sidomos te atyre që merren me terrorizëm, është e kuptueshme se për çdo shtet, ekstremizmi e sidomos terrorizmi është i rrezikshëm, dhe çdo shtetit i cenohet siguria e sajë. Sidomos nëse ekstremizmi-terrorizmi ndërlidhet me grupe mirë të organizuara” shprehet Tërnava.

Rrymat ekstremiste të karakterit islam në Kosovë filluan të kenë ndikimin në shoqërinë kosovare që nga paslufta.  Ato gjetën mbështetje më së shumti nga konflikti në Siri të vitit 2012.

Rreth 400 burra, gra dhe fëmijë udhëtuan drejt këtij vendi, ku shumica prej tyre u bënë pjesë e organizatave terroriste, që nga fillimi i konfliktit në Siri. Deri në shpartallimin e grupit militant Shteti Islamik (IS), shumica prej kosovarëve në Siri, jetuan në territoret që kontrolloheshin nga IS-i.

Në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë ndër vendet e para që ktheu në Kosovë 110 qytetarë të saj të cilët kishin mbetur në kampe të ndryshme në Siri.

(Kosova Sot Online)