Haxhiu: Vettingu në drejtësi nis vitin e ardhshëm

  • G.G /
  • 13 October 2021 - 13:43
Haxhiu: Vettingu në drejtësi nis vitin e ardhshëm

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vettingu në drejtësi do të nisë vitin e ardhshëm.

Në konferencën për medie pas mbledhjes së ekzekutivit, Haxhiu tha se vettingu planifikohet të përfundojë brenda pesë vjetësh.

Pas miratimit në qeveri të koncept-dokumentit për vetting, Haxhiu iu bëri ftesë për takim edhe grupeve parlamentare për arritjen e një konsensusi për ndryshimet kushtetuese.

“Gjatë kësaj periudhe kohore planifikoj t’i bëjë ftesë të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës për takim, me qëllim të ndërtimin e konsensusit për reformën e thellë në drejtësi dhe anën tjetër me qëllim të mbështetjes së tyre për amendamentet kushtetuese për vettingut në sistemin e drejtësisë. Duke marrë parasysh se grupet parlamentare në Kuvend e kanë pasur edhe në fushatën zgjedhore vettingun në sistemin e drejtësisë, unë besoj që si qeveri do të marrim mbështetjen edhe të opozitës…planifikohet që i gjithë ky proces të nis në vitin e ardhshëm dhe të përfundojë brenda periudhës pesë vjeçare”, tha Haxhiu.

E pyetur për aksionin e sotëm në veri, ministrja e Drejtësisë, tha se kriminaliteti duhet të ndëshkohet dhe shkatërrohet në gjithë vendin.

“Ky operacion policor është në nivel vendi, ku përfshihet Prishtina, Peja, Mitrovica dhe Jugu dhe Veriu. Qëllimi i këtij aksioni është parandalimi i veprimeve kriminale, parandalimi i kontrabandës së mallrave dhe siç është thënë shkatërrimi i grupeve kriminale, prandaj e ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, pasi kriminaliteti duhet të ndalohet dhe grupet kriminale duhet të ndëshkohen dhe shkatërrohen”, tha Haxhiu.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se me vendimet e sotme qeveritare do të sigurohen 126 milionë euro, të cilat do të shkojnë në rritjen e vendeve të reja të punës.

“Në total sot në Qeveri u mor vendim për rreth 126 milionë euro, të cilat do të shkojnë në rritjen e vendeve të punës, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përmirësimin e ambientit të vendit tonë”, tha Murati.

Sa i përket fondeve të MCC-së lidhur me projektet e energjisë, Murati tha se në bashkëpunim me ta do të adresohen nevojat drejt një tranzicioni energjetik të gjelbër.

“Sa i përket fondeve të MCC në bashkëpunim me ta kemi vendosur të adresohen nevojat imediate të vendit drejt një tranzicioni sa më të qëndrueshëm dhe të një ardhme më të gjelbër”, tha Murati.

Krahas këtyre, Murati tha se në mbledhjen e sotme qeveritare është marrë vendimin që i mundëson Kosovës të ngritë sistemin dhe të integrohet në certifikatën digjitale të vaksinimit për COVID-19.

(Kosova Sot Online)