Hajdutët lidhën pronarin e shtëpisë dhe gruan e tij, zbulohen detaje nga grabitja në Pejë

  • g./g /
  • 15 October 2021 - 07:44
Hajdutët lidhën pronarin e shtëpisë dhe gruan e tij, zbulohen detaje nga grabitja në Pejë

Një grabitje e armatosur ka ndodhur të enjten mbrëma në Vitomiricë të Pejës.

Rastin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 20 e 30 minuta, ndërkaq burrë dhe grua janë kërcënuar me armë zjarri.

Sipas policisë katër persona kanë lidhur çiftin dhe pastaj kanë kryer grabitjen.

“Rreth orës 20:30 Policia është njoftuar për një rast të grabitjes në fshatin Vitomiricë të Pejës në ç’rast viktima pronar i shtëpisë me t’u kthyer në shtëpi, nën kërcënimin e armës, rreth katër persona, e kanë kërcënuar dhe e kanë lidhur së bashku me bashkëshorten e tij”, tha Gashi.

Ndërkaq dy viktimat kanë marrë ndihmën e parë.

Policia tutje duke i referuar viktimave të rastit, ka thënë se grabitësit kanë marrë ari dhe të holla. Të njëjtit, kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Aktualisht policia është duke e hetuar rastin në fjalë.

(Kosova Sot Online)