Diplomon gjenerata e 56-të e kadetëve të Policisë së Kosovës

  • E.K /
  • 15 October 2021 - 16:51
Diplomon gjenerata e 56-të e kadetëve të Policisë së Kosovës

Sot, më datën 15 tetor 2021, diplomoi gjenerata e 56-të e kadetëve policorë të Policisë së Kosovës.

Duke u bazuar në situatën aktuale të pandemisë COVID -19, diplomimi është bërë në  grupe të vogla në hapësirat e akademisë, i organizuar nga Drejtoria për Trajnime Themelore – Divizioni i Trajnimeve i Policisë së Kosovës.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla , drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe stafi menaxhues, të cilët vlerësuan lartë aktivitetet dhe diplomimin e 197 kadetëve, tani si policë të rinj që do t’i bashkohen Policisë së Kosovës.

“Kjo do të jetë ndihmesë e madhe për punën në terren dhe nga të njëjtit është kërkuar angazhim sidomos në këtë kohë të pandemisë. Duke marrë parasysh se PK-ja ka një imazh të mirë te qytetarët ju duhet të kontribuoni që akoma më shumë të ngritet niveli i besueshmërisë te qytetarët.  Policëve të rinj ju dëshiruan shëndet dhe suksese në detyrën e re në shërbim të qytetarëve dhe vendit”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast të 197-të policët e rinj i pranuan certifikatat dhe dhanë betimin zyrtar se do të zbatojnë Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, se do ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës duke treguar profesionalizëm, përgjegjësi dhe ndershmëri në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)