Krejt çka ndodhi sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

  • E.K /
  • 15 October 2021 - 21:54
Krejt çka ndodhi sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Serbia sërish me Kinën e Rusinë në krah, derisa Kosova me mbështetjen e SHBA-ve e Britanisë së Madhe. Krejt çka ndodhi sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka kërkuar që Serbia të kuptojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur dhe se një e gjë e tillë nuk ka kthim prapa.

E para e vendit tonë në fjalimin e saj ka bërë thirrje për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ajo ka folur për mandatin e UNMIK-ut, dialogun me Serbinë dhe qasjen e kësaj të fundit lidhur me gjenocidin e kryer në Kosovë.

Pasi shefi i UNMIK-ut në Kosovë, gjatë raportimit në këtë mbledhje, e bëri përgjegjëse Kosovën lidhur me tensionet e krijuara në veri të vendit pas vendosjes së reciprocitetit për targat e edhe për operacionet e policisë në luftim të kontrabandës, presidentja Osmani bëri të qartë që institucionet e Kosovës i kanë vënë në dijeni NATO-n, KFOR-in e ambasadat e QUINT-it lidhur me ato veprime.

Madje, Osmani ka bërë thirrje që buxheti i destinuar për UNMIK-un të përdoret për diçka më të mirë duke theksuar se mandati i këtij në Kosovë tashmë është në kontradiktë me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në përgjigje për kritikat drejtuar Kosovës lidhur me tensionet në veri, Osmani ka theksuar se për këtë janë njoftuar aleatët duke përmendur këtu edhe mbështetjen për Kosovën nga SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, pas ngjarjeve në veri ku Policia e Kosovës ndërmori operacionin për luftimin e krimit e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Osmani ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar në Kosovë nuk ka etni. Ndërsa lidhur me dialogun me Serbinë, ajo ka thënë se Kosova përveç që do të ulet në tavolinën e bisedimeve, do të angazhohet në këtë dialog me qëllim të njohjes reciproke.

Presidentja u shpreh se Serbia është ajo që nuk i ka respektuar marrëveshjet e Brukselit derisa ka theksuar që Kosova i ka respektuar 90% të tyre.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, presidentja Osmani ka thënë se ish-ministrat e kasapit të Ballkanit Slobodan Millosheviqit po qeverisin në Serbi dhe kanë qëllimet e njëjta vetëm strategjinë e kanë ndryshuar.

Ajo ka theksuar se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ka përmendur aty sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Osmani në këtë mbledhje nuk la pa përmendur as vashat që na bënë krenare viteve të fundit.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është raportuar për Kosovën, ashtu siç edhe është pritur përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës kanë kritikuar Kosovën dhe i kanë dalë në mbrojtje Serbisë.

Përfaqësuesi i Rusisë tha se situata në veri përbën shqetësim të madh për Rusinë. Sipas tij ajo është përkeqësuar për shkak të veprimeve të Prishtinës.

“Autoritetet e Kosovës kanë provokuar tensione. Policët janë vendosur të armatosur. Forcat speciale kanë shënjestrurar civilët me gaz lotsjellës”, tha ai.

Rusia, sipas tij, i sheh këto akte me qëllim të intimidimit dhe presion ndaj serbëve për t’i përzënë ata nga Kosova.

“Ne besojmë se zhvillimet e fundit dhe politikat e Prishtinës për të mos vënë dialogun në prioritet janë shumë të rrezikshme”, tha përfaqësuesi i Rusisë

Këto, taktika të Prishtinës, sipas tij, çojnë drejt minimit të procesit të dialogut, për të cilin Rusia mendon se është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

“Rusia mbështet zgjidhjen mes Prishtinës se Beogradit në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi i Kinës tha se ky vend e mbështet sovranitetin e integritetin territorial të Serbisë dhe e kupton atë sa i takon shqetësimeve në Kosovë.

 

Ai tha se Kina e përgëzon Serbinë për përpjekjet pozitive për të gjetur një zgjidhje politike.

“Ne mbështesim të dyja palët që në kornizat e Rezolutës 144 të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut dhe konsultimeve”, tha ai.

Përfaqësuesja e Francës në OKB tha se mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje e sigurisë evropiane.

Ajo foli për marrëveshjen që më 30 shtator, dy shtetet, nën ndërmjetësimin e BE-së arritën për çështjen e targave dhe tha se Franca inkurajon palët që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme.

“Kjo krizë është një ilustrim i faktit se nuk ka asnjë alternativë tjetër, as për Serbinë apo Kosovën përveç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që zgjidh mosmarrëveshjet mes dy shteteve”, tha ajo.

Franca bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe theksoi se është e rëndësishme “që të shmangen çfarëdo veprimesh të njëanshme që mund ta minojnë dialogun”.

Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe bëri thirrje që palët t’i shmangen retorikës dhe aksioneve që mund ta përshkallëzojnë situatën derisa theksoi nevojën që të dyja palët në kuadër të dialogut në Bruksel të gjejnë një zgjidhje për lëvizjen e lirë.

Ajo tha se Kosova ka bërë përparim në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe në vaksinimin e popullatës kundër COVID-19.

Ajo ngriti shqetësime për, siç tha, frikësimin e votuesve serbë në prag të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit dhe organizatave joqeveritare serbe që bashkëpunojnë më institucionet në Prishtinë.

Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe falënderoi Kosovën për kontributin në evakuimin e afganëve nga Afganistani në bashkëpunim me NATO-n.

Britania e Madhe kërkoi rishikimin e misionit të UNMIK-ut, pasi siç tha, rrethanat tashmë kanë ndryshuar në Kosovë.

Ndersa, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fjalen e tij ka kërkuar shkuarjen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Ai kërkoj mbylljen e këtij misioni, dhe të ketë një prani tjetër të OKB-sw në Kosovë

“Dëshiroj të filloj duke mirëpritur marrëveshjen për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë që e ka ndërmjetësuar Lajcak. Kjo marrëveshje është hap përpara për Kosovën, Serbinë dhe stabilitetin në Ballkanin Përëndimor. Kjo është dëshmi se kur liderët angazhohen mund të gjejnë zgjidhje që përfitojnë qytetarët e të dy vendeve. Inkurajojmë të dy vendet të vazhdojnë këtë dhe të respektojnë marrëveshjet paraprake e gjithashtu të vazhdojnë dialogun.Dialogu mbetet platforma kryesore për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe stabilizim të marrëdhënieve duke arritur në fund një marrëveshje për njohje reciproke. UNMIK-u nuk ka luajtur rol lidhur me çështjen e targave dhe zgjidhja e kësaj çështje me përkrahjen e KFOR-it ka treguar se organizata tjera mund ta luajnë këtë rol më mirë. UNMIK-u ka plotësuar mandatin e tij dhe duhet ta kuptojmë këtë realitet e të shkojmë drejt mbylljes së tij. OKB’ja ende mund të luaj rol të rëndësishëm në implementimin e demokracisë në rajon por kjo nuk kërkon mision paqëruajtës në rajon. SHBA kërkon që Këshilli të mbyll misionin në mënyrë që të kemi prani tjetër në mënyrë që Kosova të realizojë potencialin e saj të plotë. SHBA-të mbesin të përkushtuara në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin perëndimor dhe do të punojmë ngushtë me partnerët që të ruajmë sundimin e ligjit.”, tha përfaqësuesi i SHBA’ve.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u raportua për Kosovën, nuk munguan as përplasjes mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e ministrit të Jashtëm serb, Nikola Selakoviq.

Kujtojmë se ky është një takim i rregullt për Kosovën, ku paraqitet raporti i Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Raporti përfshin periudhën 16 mars – 15 shtator, 2021.

(Kosova Sot Online)