Brnabiç: Nuk do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës

  • E.K /
  • 16 October 2021 - 11:23
Brnabiç: Nuk do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç beson se një marrëveshje historike midis serbëve dhe shqiptarëve është e mundur.

Ajo thekson se kjo kërkon udhëheqës të guximshëm me një vizion, siç është Aleksandër Vuçiç, dhe se ajo, si kryeministre, nuk do të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës.

Ana Brnabiç konfirmoi se ka presione të ndryshme ndaj Serbisë dhe vlerësoi se ultimatume dhe zgjidhje nuk mund t’i jepen Vuçiçit.

“Ai dhe SNS kujdesen për Serbinë, jo për fitimin e zgjedhjeve. Ne i shohim fitimet e zgjedhjeve si një mënyrë për të luftuar për Serbinë, dhe jo si një qëllim në vetvete”, tha Brnabiç.

E pyetur drejtpërdrejt nëse do të nënshkruante njohjen e pavarësisë së Kosovës, ajo u përgjigj shkurt: “Jo”.

Siç shpjegoi Brnabiç, në këtë fazë, BE dhe Shtetet e Bashkuara nuk thanë se nuk do të kishte anëtarësim në BE pa njohjen e Kosovës, por se nuk do të kishte anëtarësim pa një zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës.

Brnabiç theksoi se Serbia është e angazhuar për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë dhe se interesi i vendit tonë është paqja dhe stabiliteti, si dhe anëtarësimi në BE.

“Gjetja e një kompromisi që do të siguronte paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm dhe rruga jonë evropiane janë në interesin e Serbisë, sepse ato do të sigurojnë që ne të vazhdojmë të forcohemi ekonomikisht”, tha Kryeministrja e Serbisë.

Ajo vlerësoi se nuk ka udhëheqës në Prishtinë me vizion dhe guxim. “Është e mundur që ne të humbasim shansin historik për shkak të kësaj, e cila nuk do të na shfaqet përsëri për një kohë të gjatë. Shpresoj që ne nuk do ta bëjmë”, tha Brnabiç.

(Kosova Sot Online)