Përdhosja e Kuranit ‘ndez’ Bangladeshin, shpërthen dhuna me viktima

  • E.K /
  • 16 tetor 2021 - 15:34
Përdhosja e Kuranit ‘ndez’ Bangladeshin, shpërthen dhuna me viktima

Një dhunë e përgjakshme ka shpërthyer në Bangladesh pas pretendimeve se libri i Kuranit është nënçmuar. Kjo nxiti shumë njerëz që t’i sulmojnë tempujt hindusë, ndërsa policia ka hapur zjarr ndaj turmës, duke lënë së paku katër të vdekur.

Qeveria nxori në rrugë trupa paramilitare në 22 distrikte, pasi tensionet fetare dhe dhuna shpërthyen në qytetin Cumilla të mërkurën, shkruan The Guardian.

 

 

Trazirat u nxitën nga disa video dhe pretendime që u përhapën në rrjetet sociale, ku thuhej dhe shfaqeshin pamje të një Kurani, libër i shenjtë i myslimanëve, duke u vendosur në gjurin e një statuje të atij që e quajnë “zot hindus”, Hanuman, në një tempull të ndërtuar për festivalin hindus, “Durga Puja”.

Një turmë me më shumë se 500 persona u grumbullua në Cumilla dhe në distriktet fqinje pas dyshimeve për blasfemi. Rreth dhjetë tempuj dhe faltore hinduse u sulmuan dhe u vandalizuan nga turmat. Njerëzit hodhën gurë dhe i prishën statujat e Durgas, që nga hindusët cilësohet “perëndeshë”.

Në Cumilla, policia hodhi gaz lotsjellës dhe qëlloi me armë në drejtim të turmës. Së paku tre persona u vranë në vendin e ngjarjes dhe një tjetër vdiq më vonë në spital nga plagët. Dhjetëra të tjerë, përfshirë disa policë, pësuan lëndime.

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, premtoi masa të ashpra pa dallim. “Incidentet në Cumilla janë duke u hetuar plotësisht. Askush nuk do të kursehet. Nuk ka rëndësi se cilës fe i përkasin. Do të ndiqen dhe do të ndëshkohen”, tha ajo.

Shumica e popullsisë në Bangladesh i takon besimit islam, por pakica më e madhe fetare – hindusët – përbën gjithashtu numër të konsiderueshëm – rreth 8.5 deri 10 për qind të popullsisë.

Incidenti i fundit nxiti reagim edhe në Indi, ku shumica e popullsisë i takon besimit hindus. Zëdhënësi qeveritar, Arindam Bagchi, e quajti shqetësues incidentin dhe tha se zyrtarët janë në komunikim me autoritetet e Bangladeshit rreth këtyre sulmeve.

(Kosova Sot Online)