KQZ thotë se sot do të publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale

  • E.K /
  • 17 October 2021 - 17:28
KQZ thotë se sot do të publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të numërojë votat e qytetarëve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit sot pas mbylljes së vendvotimeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i numërimit të votave në zgjedhje lokale është më i lehtë se ai i zgjedhjeve të përgjithshme dhe se sipas tij, votat pritet të numërohen më shpejt.

“Përfundon procesi i numërimit të fletëvotimeve për kryetar, një zyrtar e merr një kopje të formularit me rezultate dhe të njëjtat i ngarkon në aplikacioni e KQZ-së. Pastaj, vazhdon numërimi i fletëvotimeve për kuvende komunale dhe pasi të përfundon i gjithë ky proces materialet kthehen në komision komunal të zgjedhjeve dhe prej aty në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka thënë Elezi.

Elezi tha më tej se pas procesit të numërimit të votave rezultatet pritet publikohen gjatë mbrëmjes.

Kujtojmë se deri në ora 15:00 pjesëmarrja e qytetarëve në votime ishte 27,41%.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të përditësuara në ora 15:00 deri tani kanë votuar 379 mijë e 180 qytetarë.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Ndërsa numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

(Kosova Sot Online)