Vdekja e 4 rusëve/ Pista kryesore e hetimit: Humbën jetën nga klori

  • E.K /
  • 17 tetor 2021 - 17:49
Vdekja e 4 rusëve/ Pista kryesore e hetimit: Humbën jetën nga klori

Vdekja e katër turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës duket se ka ardhur si pasojë e helmimit nga klori që është përdorur për pastrimin e pishinës ku ata u gjetën të pajetë. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se, kjo është një nga pistat kryesore për shkak se ditën kur ndodhi ngjarja është kryer edhe dizinfektimi me klor i pishinës.

Në pyetje është marrë edhe personi që ka pastruar pishinën e brendshme të hotelit “Gloria Palace” që ka ndihmuar hetuesit për të zbardhur ngjarjes.

“Turistët rusë komunikuan me personelin e hotelit dhe kërkonin tu vihej në dizpozicion pishina dimërore. Ajo ishte mbyllur prej 1 jave, ndërsa mëngjesin e së premtes e pastrova me klor.”

Pas kësaj dëshmie hetuesit kanë dyshime se mund të jetë përdorur sasia e madhe e klori duke sjellë edhe asfiksinë e tyre. Për të provuar këtë hetuesit, kanë marrë kampionë të ujit për të mësuar sasinë e klorit që gjendej në të.

Në ditët në vijim, grupi hetimor pas përgjigjes së ekspertizës mjeko-ligjore që do të përcaktoje edhe shkakun e vdekjes pritet të lëshojë urdhër-arreste për personat përgjegjës që sollën edhe tragjedinë më 4 viktima.

Ekspertët kanë marrë kampionë në trupat e viktimave për analizimin e pranisë në gjak të drogës, alkoolit apo lëndëve helmuese edhe pse në ambientet ku ata kanë qëndruar nuk janë gjetur lëndë narkotike, përveç disa shisheve me birrë që janë gjetur në dhomën ku ata qëndronin.

Ndërsa ambasada ruse në Tiranë përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar vdekjen e katër shtetasve rusë Natalia Burenkova, Sergei Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe Nikita Belousov. Përfaqësues kanë kërkuar hetim të plotë për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së katër turistëve.

(Kosova Sot Online)