Shtohet interesimi i qytetarëve për të votuar në Ferizaj

  • A.P /
  • 17 October 2021 - 18:49
Shtohet interesimi i qytetarëve për të votuar në Ferizaj

Ka mbetur më pak se një orë për të përfunduar procesi i votimit për këto zgjedhje. Derisa, në Qendrën më të madhe të votimit në Ferizaj, në shkollën “Tefik Çanka” është shtuar fluksi i qytetarëve për të ushtruar të drejtën e tyre për votuar.

Në këtë komunë nuk është shënuar asnjë parregullsi, derisa në orën 15:00 në Ferizaj kanë votuar 29 përqind.

Menaxheri i Qendrës së votimit në shkollën “Tefik Çanka” në Ferizaj, Basri Hasani,  ka thënë për Kosovapress se në këtë shkollë deri në orën 15:00 kanë votuar më shumë se 1 mijë e 900 votues.

“Ka qenë një proces zgjedhor i rregullt deri tash kanë votuar apo deri në orën 14:45 kanë votuar 1 mijë 900 votues ose 29 përqind… Numri me të drejtë vote i qytetarëve në këtë shkollë është 9 mijë e 378 votues”, tha ai.

Ndërsa, qytetarët e kësaj komune presin nga këto zgjedhje realizimin e projekteve zhvillimore, për spitalin dhe rritjen e cilësisë në arsim.

Qytetarja nga Ferizaj Kaltrina Behluli theksoi për kp se pret arsim cilwsor dhe investime në shëndetësi.

“Prej këtyre zgjedhjeve, normalisht edhe unë pres ndryshim për të mirë në arsim, pasi që jam edhe vet mësimdhënëse. Ferizaj është një prej komunave që më së shumti ka pasur arritje. Komunë tonë ndoshta i mungon infrastruktura shkollore, për shëndetësi më shumë, përfundimi i projektit të spitalit, dhe të tjera”, thotw ajo.

Qytetari tjetër Naser Kosumi nga Ferizaj, thekson se presin ende projekte zhvillimore.

“Në Ferizaj është punuar shumë, presim akoma projekte zhvillimore të realizohen për qytetarët e Ferizajt”, thotë Kosumi.

Kryesuesi i Komisionit Zgjedhor në Ferizajm Shaban Rexha tha për KosovaPress se gjatë procesit zgjedhor në Ferizaj nuk është shënuar asnjë parregullsi.

“Deri në orën 15:00 kanë dalë 28.99 përqind ose 28 mijë e 989 votues të Ferizajt e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar. Prej mëngjesit e deri tash nuk është raportuar asnjë parregullsi”, tha ai.

Në Ferizaj të drejtë vote kanë 111 mijë e 990 votues, derisa kanë qenë të hapura 44 qendra të votimit.

(Kosova Sot Online)