PZAP pranon 21 ankesa për procesin e zgjedhjeve

  • A.P /
  • 17 tetor 2021 - 19:03
PZAP pranon 21 ankesa për procesin e zgjedhjeve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë njoftoi se deri rreth orës 18 e 30 të dielën ka pranuar 21 ankesa lidhur me zgjedhjet lokale.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tha për Radion Evropa e Lirë se ankesat kryesisht kanë të bëjnë me pretendimin se është thyer heshtja zgjedhore.

“Tash për tash nuk kemi ankesa nga individë, vetëm nga subjektet politike dhe shoqëria civile”, tha Desku.

Në anën tjetër, Desku ka bërë të ditur se gjatë të shtunës, janë pranuar katër ankesa lidhur me pretendimin për thyerjen e heshtjes zgjedhore.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor ka shkuar në përgjithësi pa incidente të theksuara.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 26.8 për qind e votuesve në nivel vendi.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor të 17 tetorit në Kosovë, tha se procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është tre herë më e lartë krahasuar me komunat tjera.

(Kosova Sot Online)