Vitia thotë se do të vizitojë çdo lagje e fshat

  • A.P /
  • 18 October 2021 - 20:00
Vitia thotë se do të vizitojë çdo lagje e fshat

Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka folur për herë të parë pas rezultatit të mbrëmshëm të zgjedhjeve lokale. Vitia nuk arriti të fitojë pa balotazh kryeqytetin dhe do të shkojë në balotazh me kandidatin e LDK-së, Përparim Rama.

Vitia ishte Ministër i Shëndetësisë deri afër një muaj para zgjedhjeve lokale dhe bëri fushatë vetëm më pak se një javë. Ai tash thotë se do të aktivizohet më shumë dhe do të vizitojë lagjet e fshatrat e kryeqytetit.  

“Mbrëmë u mbajt rundi i parë i zgjedhjeve lokale, në një proces demokratik e të menaxhuar mirë. Me përulësi dua t’i falënderoj në rend të parë të gjithë qytetarët për kulturen e lartë në këtë proces zgjedhor demokratik dhe mbështetjen e tyre të fuqishme. Falënderim i përzemërt edhe për të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që dje ishin në ballë të këtij procesi duke u kujdesur që vullneti i secilit qytetar të shkojë në adresën e duhur”, shkroi ai.

Gjithsesi ai sheh të mira nga rezultati i mbrëmshëm, ku thotë se është në avantazh ndaj kundërkandidatit.

“Prishtina mbrëmë e ka vlerësuar planin tonë për kryeqytetin, duke na vendosur në avantazh në këtë garë. Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi në ballë të sfidës së re të vendosur nga qytetarët. Në katër javët që kemi përpara do të jemi në çdo lagje e fshat të qytetit për të paraqitur planet tona për kryeqytetin. Do të paraqesim ëndrrën tonë për Prishtinën. Të dashur aktivistë e vullnetarë të kësaj fushate, do të takohemi pa humbur kohë. Së bashku do të trokasim në çdo derë të qytetarëve tanë e bashkë do të flasim për alternativën tonë. Me këtë frymë do ta sjellim ndryshimin e do ta sigurojmë fitoren tonë të re, e cila do të jetë e secilit prej nesh. Mirë u takofshim sërish, drejt bashkëqeverisjes!”, përfundoi ai. 

(Kosova Sot Online)