Bekim Jashari ankohet për vjedhje votash, thotë se ka dërguar 10 ankesa në PZAP

  • A.P /
  • 18 October 2021 - 21:49
Bekim Jashari ankohet për vjedhje votash, thotë se ka dërguar 10 ankesa në PZAP

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se ka deponuar 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke akuzuar PDK’në për vjedhje votash.

Jashari, me anë të një postimi në ‘Facebook’, pretendon se vëzhguesit e tij nëpër vendvotime kanë identifikuar fletëvotime të pavulosura.

“Pas evidentimit të parregullsive të shumta që kanë ndodhur në shumë vendvotime në komunën tonë, sot kemi deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”, duke deformuar kështu vullnetin e shenjtë të qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë ai.

Nga 98,41 për qind të votave të numëruara, kandidati i PDK’së Fadil Nura i ka 57,99 për qind të votave, derisa Jashari ka mbledhur 40,64 për qind të votave.

Postimi i plotë:

Tashmë dihet nga të gjithë që votat na janë vjedhë dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.

Pas evidentimit të parregullsive të shumta që kanë ndodhur në shumë vendvotime në komunën tonë, sot kemi deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”, duke deformuar kështu vullnetin e shenjtë të qytetarëve të komunës sonë.

Nga vëzhguesit tonë në shumë vendvotime, gjatë numërimit të votave janë gjetë shumë fletëvotime të pavulosura për kryetar komune, mund të këtë edhe shumë tjera që nuk janë identifikura në mungesë të komisionerëve tonë në vendvotime, për të cilat kërkojmë informacione nga ju qytetarë të dashur.

Në emër të demokracisë dhe vullnetit të shenjtë të qytetarëve kërkoj nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe  Prokuroria e Kosovës që të hetojnë çdo keqpërdorim të procesit zgjedhor.

I juaji çdoherë Bekim Jashari! 

(Kosova Sot Online)