E thotë edhe Nexhmedin Spahiu: Mund të ketë pasur keqpërdorim të votës në Skenderaj

  • E.K /
  • 19 October 2021 - 10:15
E thotë edhe Nexhmedin Spahiu: Mund të ketë pasur keqpërdorim të votës në Skenderaj

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu, ka folur në lidhje me akuzën e Bekim Jasharit se në Skenderaj janë vjedhur vota.

Spahiu tha se mund të ketë pasur keqpërdorim të votave në këtë komunë por jo edhe vetëm.

Madje ai tha se një dukuri e tillë e keqpërdorimit të votave është rikthyer përsëri, ani pse jo në mënyrë të dukshme.

“Po edhe mund të ketë pasur keqpërdorim të votës dhe jo vetëm në Skenderaj megjithëse kjo nuk është bërë në mënyrë të dukshme, mund të jetë bërë me blerjen e komisionerëve dhe ky mekanizëm i cili dikur ka qenë shumë i shprehur, tashmë po duket që është aplikuar sërish në këto zgjedhje. Por fitorja e PDK-së në Drenicë për mua nuk ka qenë ndonjë befasi edhe pse unë them që në këto zgjedhje për dallim prej zgjedhjeve tjera ku pak a shumë prognozat e mia kanë qenë të sakta për fituesit kam qenë plotësisht jashtë lojës, nuk e kam ditur fituesin sepse ka pasur diçka shumë të veçantë, deri tani gënjenin politikanët dhe ishte lehtë me përcaktua se kush ishte fitues, kurse tani në këto zgjedhje kanë filluar të gënjejnë votuesit dhe ishte e vështirë me parashikua se kush do të ishte fituesi, në cilado prej komunave të Kosovës dhe për mendimin tim nuk kam guxuar të vë bast për asnjërën prej këtyre sepse ka pasur një mjegullnajë se kush do të fitojë a po jo”, foli Spahiu.

Kujtojmë se në zgjedhjet e mbajtura më 17 tetor, në Skenderaj fitues është Fadil Nura nga Partia Demokratike e Kosovës, me rreth 58% të votave.

Ndërsa sipas rezultateve nga KQZ-ja, del se kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt Bekim Jashari, ka marr rreth 41% të votave.

(Kosova Sot Online)