Dëshmitarja në rastin e Gucatit dhe Haradinajt: Dëshmitarët ishin të frikësuar pas publikimit të dokumenteve

  • G.G /
  • 19 October 2021 - 16:51
Dëshmitarja në rastin e Gucatit dhe Haradinajt: Dëshmitarët ishin të frikësuar pas publikimit të dokumenteve

Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Zenka Pumper ka thënë se dëshmitarët janë frikësuar pas publikimit të dokumenteve nga ana e OVL-UÇK.

Gjatë dëshmisë së saj Pumper, e cila është hetuese e ZPS-së, ka thënë se pas rrjedhjes së dokumenteve dhe publikimit të tyre nga Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, punonjës të ZPS-së kanë kontaktuar dëshmitarët dhe sipas saj disa prej tyre kanë dashur të tërhiqen nga dhënia dëshmia.

Pumper ka thënë se ka qenë vetë pjesë e stafit të ZPS-së, i cili ka kontaktuar dëshmitarët pasi ish-krerët e OVL-UÇK janë paraqitur në konferenca për media me dokumentet të cilat u kishin arritur në organizatë.

“Edhe unë kam qenë pjesë e kësaj, kam kontaktuar dy dëshmitarë vetë, ishte një proces i organizuar shumë mirë… Me sa më kujtohet, personat kryesor të cilët kanë telefonuar individët ishin prokurorët, në shoqërinë e hetuesve dhe të punonjësve të sigurisë së dëshmitarëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, komunikimi me dëshmitarë është bërë përmes thirrjeve telefonike dhe takimeve.

“Dëshmitarët u kontaktuan si rezultat i nxjerrjes së paketave 1,2 dhe3… Qëllimi i kontakteve që unë bëra ishte që të kontaktoja njerëzit të bisedoja me ata se çfarë kishte ndodhur dhe të kuptoja se si ndiheshin për këtë, çfarë qëndrimi mbanin për këtë… Personalisht kam biseduar me dy individë, njëri prej këtyre ishte shumë i frikësuar, shumë i irrituar”, ka thënë ajo.

Sipas Pumper, një dëshmitar i ka kërkuar që mos të thirret fare për të dëshmuar.

“Një person konkret ishte shumë i trembur dhe dëshmitari më shpjegoi që ishte ‘djegur’ në kuptimin që ishte bërë i njohur identiteti i tij nëpërmjet këtyre nxjerrjeve, më kërkoi që të kthehesha në gjykatë dhe t’u lutesha të mos e thërrisnin si dëshmitar sepse kishte frikë për jetën e tij dhe të familjes”, tha Pumper.

Zenka Pumper është dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

(Kosova Sot Online)