Varhelyi: Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim, por Kosova mbetet në 'geto'

  • A.P /
  • 19 October 2021 - 18:59
Varhelyi: Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim, por Kosova mbetet në 'geto'

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, gjatë prezantimit të raport-progresit vjetor u shpreh se pas formimit të qeverisë në shkurt të këtij viti ekziston një mundësi për të bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Varhelyi mes tjerash tha se Komisioni qëndron pas vlerësimit të bërë në korrik të vitit 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

“Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në shkurt 2021 rezultuan në formimin e një qeverie të re që gëzon një shumicë të qartë parlamentare. Ekziston një mundësi për të bërë përparim në çështje të tilla si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për të rritur zhvillimin ekonomik. Komisioni qëndron në vlerësimin e tij të korrikut 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e liberalizimit të vizave”.

Mes tjerash Varhelyi tha se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog për të ardhmen e tyre evropiane dhe për stabilitetin e rajonit.

“Dialogu i lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës mbetet qendror për të ardhmen e tyre evropiane dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt objektivit të përfundimit të një marrëveshjeje të normalizimit gjithëpërfshirës të detyrueshëm ligjërisht. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin duhet të shmangen” deklaroi Varhelyi.

(Kosova Sot Online)