FBI hyn në vilën e oligarkut rus Oleg Deripaska, aleat i ngushtë i Putinit

  • A.P /
  • 19 tetor 2021 - 23:06
FBI hyn në vilën e oligarkut rus Oleg Deripaska, aleat i ngushtë i Putinit

Agjentët federalë zhvilluan “aktivitet për zbatimin e ligjit” të martën në rezidencën në Uashington të oligarkut rus Oleg Deripaska, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimit Putin.

Agjentët zhvilluan “një aktivitet për zbatimin e ligjit të autorizuar nga gjykata”, tha një zëdhënës i FBI-së. Zyrtarë nuk ofruan informacione të mëtejshme për rrethanat e prezencës së tyre, apo ndonjë informacion për hetime të mundshme ku mund të përfshihet Deripaska.

Shtetasi i pasur rus që e ngriti pasurinë nëpërmjet biznesit të aluminit, është një aleat i ngushtë i zotit Putin dhe u përmend disa herë në raportin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Deripaska mbante lidhje edhe me Paul Manafortin, ish-drejtori i fushatës elektorale të ish-Presidentit Trump, i cili u gjet fajtor për tetë krime financiare në kuadrin e hetimeve të Prokurorit Mueller.

Manafort iu dha më vonë falja nga Presidenti i atëhershëm Trump.

Gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, Departamenti i Thesarit kishte hequr gjithashtu sanksionet financiare ndaj tre kompanive të lidhura me Deripaska.

Zyrtarët thanë në atë kohë se kishin vepruar kështu pasi aksionet e drejtpërdrejta dhe indirekte të Deripaska në këto kompani ishin zvogëluar deri në pikën që ai nuk kishte më kontroll mbi to.

(Kosova Sot Online)