Komisioni Evropian vlerëson masat e ndërmarra në sektorin financiar gjatë pandemisë nga BQK

  • A.P /
  • 20 October 2021 - 15:57
Komisioni Evropian vlerëson masat e ndërmarra në sektorin financiar gjatë pandemisë nga BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka mirëpritur përfundimet e nxjerra në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2020, i cili njeh angazhimin dhe masat e ndërmarra në sektorin financiar dhe po ashtu ofron rekomandime për avancime të mëtejme.

Raporti thekson se sektori financiar, i mbështetur nga masat e ndërmarra nga BQK lidhur me shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive, ka vazhduar të rritet në vitin 2020 dhe në gjysmën e parë të 2021, duke ruajtur adekuatshmërinë e kapitalit dhe nivelet e likuiditetit.

“Këto masa ndihmuan në përmbajtjen e ndikimit të krizës në sektorin bankar dhe mbështetën rritjen e kreditimit. Sektori financiar i rezistoi krizës Covid-19 kryesisht për shkak të niveleve të larta të kapitalit të bankave. Treguesi i adekuatshmërisë së kapitalit të bankave mbeti i qëndrueshëm dhe dukshëm mbi raportin e kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 12%”, thuhet nga BQK.

Gjithashtu, u theksua se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdoi gradualisht me zbatimin e kornizës së Bazel III rreth kërkesave të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe raportit të leverazhit.

Raporti i Komisionit Evropian vlerëson se ndërmjetësimi financiar ka vazhduar të rritet. Pavarësisht pandemisë, kreditimi nga sektori bankar u rrit me 7.1 % në vitin 2020, ndërsa në prill-qershor 2021 u përshpejtua në mbi 10 % nga viti në vit. Rritja e kreditimit u lehtësua nga normat e ulëta të interesit, rritja e vazhdueshme e depozitave, përmirësimi i zbatimit të kontratave dhe rritja e garantimit të kredive.

“Raporti potencon mos konstituimin e Bordit Drejtues të BQK-së duke ndikuar kështu në qeverisjen e Bankës Qendrore dhe në procesin e saj të vendimmarrjes. Andaj, ritheksohet kërkesa që në afat sa më të shpejtë Bordi i BQK-së të bëhet plotësisht funksional”, thuhet nga BQK.

Raporti gjithashtu ka paraqitur rekomandimet që duhet të adresohen nga BQK-ja:

Të vazhdojë të zbatojë udhërrëfyesin për zbatimin e masave të Solvencës II dhe të rritë rolin mbikëqyrës në sektorin e sigurimeve;

Avancimin e mëtutjeshëm në zbatimin e kornizës Basel III dhe miratimi i ndryshimeve në kornizën ligjore të Kosovës që qeveris institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, në përputhje me praktikat më të mira.


(Kosova Sot Online)