Qindra njerëz preken nga salmonella, të dyshimta qepët e një shteti

  • E.K /
  • 21 October 2021 - 11:43
Qindra njerëz preken nga salmonella, të dyshimta qepët e një shteti

Më shumë se 650 njerëz në 37 shtete të ShBA-së janë prekur nga infeksioni salmonella, që është lidhur me qepët e importuara nga Meksika. Së paku 129 njerëz janë shtrirë në spital.

Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportuan se nga 652 personat e infektuar me salmonella, 60 ishin raste të reja deri të mërkurën, ndërsa nga 129 hospitalizimet, 13 ishin raste të reja. Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë të vdekur, shkruan Daily Mail.

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e ka identifikuar kompaninë “ProSource Inc.” në Idaho si burim të grumbullit potencialisht të kontaminuar të qepëve të kuqe, të verdha dhe të bardha, të importuara në muajin gusht nga rajoni Chihuahua në Meksikë. Autoritetet po hulumtojnë nëse në përhapjen e infeksionet ka të përfshirë edhe furnizues tjerë.

Kompania e përmendur nga autoritetet tha se qepët për herë të fundit janë futur në ShBA më 27 gusht, por këto perime mund të mbahen deri në tre muaj në magazina dhe ende mund të ndodhen në shtëpi apo biznese.

Prandaj, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve i këshilloi restorantet, shitësit me pakicë dhe konsumatorët që të mos hanë, të mos shesin dhe të mos shërbejnë qepë të kuqe, të verdha e të bardha që janë shpërndarë nga kompania “ProSource”, që janë importuar nga Meksika mes datave 1 korrik e 22 gusht.

(Kosova Sot Online)