
Suedia e vazhdon pezullimin e vaksinës amerikane për personat nën 30 vjeç

Suedia e ka vazhduar afatin e pezullimit të vaksinës së kompanisë amerikane, Moderna, për personat nën moshën 30-vjeçare për shkak të një efekti të rrallë anësor të lidhur me zemrën, njoftoi agjencia e shëndetit publik.
Agjencia shëndetësore ka thënë më herët në tetor se të dhënat kanë treguar rritje të rasteve të miokarditit dhe perikarditit në mesin e të rinjve të vaksinuar me vaksinën “Spikevax”, të prodhuar nga kompania amerikane. Prandaj, u pezullua përdorimi i saj për personat e lindur më 1991 ose më vonë.
Autoritetet suedeze thanë të enjten se pezullimi do të vazhdohet përtej datës fillestare – 1 dhjetor – dhe ata që e kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine dozën e dytë do ta marrin nga prodhuesi “Pfizer/BioNTech”, shkruan The Guardian.
Ndryshe, Agjencia Evropiane e Ilaçeve në maj e miratoi përdorimin e vaksinës së kompanisë Moderna, ndërsa vaksina e Pfizer-it u miratua për përdorim te fëmijët mbi 12 vjeç në korrik.
(Kosova Sot Online)