Puna me lista në spitalet rajonale/ Pacientët duhet të presin për t’u operuar

  • A.P /
  • 21 October 2021 - 17:36
Puna me lista në spitalet rajonale/ Pacientët duhet të presin për t’u operuar

Për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19, shumë qytetarë për muaj të tërë është dashur të presin në mënyrë që t’i nënshtrohen intervenimeve të ndryshme të cilat në atë kohë nuk kanë qenë emergjente. Përkundër që tashmë gjendja me pandeminë është më e qetë, pacientët po vazhdojnë të presin edhe më tej për t’iu nënshtruar intervenimeve të ndryshme.

Drejtori Spitalit rajonal të Ferizajt, Halit Gërbeshi, ka thënë se për shkak të numrit të vogël të anesteziologëve janë krijuar lista të pritjes në repartin e kirurgjisë.

Ai ka treguar se kanë vetëm 3 anesteziologë dhe se po presin ndihmë nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës në mënyrë që t’i mbulojnë sa më shpejtë të gjitha shërbimet.

“Po realisht kemi në repartin e kirurgjisë lista të pritjes kjo për shkak të numrit të vogël të anesteziologëve që kemi në spitalin tonë dhe e kemi paksa të vështirë që t’i mbulojmë shpejtë. Megjithatë po presim, jemi në bashkëbisedim me SHSKUK’në, me doktor Valbonin dhe po presim për  ndonjë ndihmesë që t’i mbarojmë sa më shpejtë të jetë e mundur. Në bashkëbisedim me doktorët kam parë që ka lista, por sa janë saktë nuk mund të flas. ,e anesteziolog jemi keq dhe kemi vetëm 3”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se për shkak të punës me ndërrime, gjatë ditës mbesin me vetëm dy anesteziologë të cilët duhet të shpërbejnë në sallën e gjinekologjisë, kirurgjisë e reparte tjera.

Edhe zëdhënës për informim në spitalin e Pejës kanë treguar se janë krijuar lista të pritjes edhe në këtë spital, megjithëse kanë thënë se nuk janë të mëdha.

Sipas tyre, listat e pritjes janë kryesisht për ekazaminime në CT,  EHO të zemrës dhe operacione elektive.

Ndërsa, Luljeta Buçinca-Zhubi, drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës ka treguar për gazetën se reparti i kirurgjisë dhe i ortopedisë në këtë spital janë më të ngarkuar me pacientë, megjithëse ajo ka thënë se listat e pritjes janë më pak se një muaj.

Ajo ka deklaruar se ndonëse është ulur numri i pacientëve të infektuar të hospitalizuar me COVID-19, është rritur numri i pacientëve që kërkojnë shërbime tjera.

“Dje jam interesuar për në kirurgji dhe ortopedi, janë ma shumë të ngarkuara me planifikime. Për çdo ditë ka punë, çdo ditë kryhen të gjitha. Numri i pacientëve me Covid është i ulët por tash po vinë pacientë me ankesa tjera që nuk kanë pas mundësi ose guxim me ardh me u përzi mëherët, tani kanë mundësi dhe më shumë vinë për sëmundje kronike”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër, drejtori i spitalit të Gjakovës Hilmi Shala ka thënë se situata në këtë spital është më e qetë dhe nuk ka shumë pacientë që po kërkojnë shërbime shëndetësore.

Për dallim nga spitalet rajonale, me lista të pritjes po punojnë edhe disa klinika të QKUK’së.

Nga SHSKUK ditë më parë kanë treguar se hapësirat e Klinikës së Kardiologjisë Invazive janë liruar nga pacientët me COVID-19 dhe se po presin që të trajtojnë 7 deri në 10 pacientë në ditë në mënyrë që të zbutet lista e pritjes.

Kujtojmë që më 23 gusht të këtij viti për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të hospitalizuar me COVID-19, ishte marrë vendim që të ndërpriten operacionet elektive e disa shërbime joemergjente.

Qytetarët të cilët kishin të caktuara terminet për operime në këtë muaj, u desh të presin deri më 27 shtator kur u kthyen këto shërbime.

Megjithëse, jo të gjithë ata që ishin në pritje nga muaji gusht kanë arritur që t’i nënshtrohen intervenimeve deri tani.

(Kosova Sot Online)