Arrestimi i ish-shefit të IT-së në AKI po konsiderohet shokues nga ekspertët e sigurisë

  • A.P /
  • 21 October 2021 - 22:14
Arrestimi i ish-shefit të IT-së në AKI po konsiderohet shokues nga ekspertët e sigurisë

Ish zyrtari i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), M.Krasniqi, për të cilin thuhet se ishte shef Teknologjisë Informative në këtë institucion, dyshohet se ka zbuluar informacione që kanë rrezikuar sigurinë e vendit.

Krasniqi ka punuar për disa kohë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Burimet kanë bërë të ditur se i njëjti ka qenë udhëheqës i IT-së në AKI.

Këtë të enjte Krasniqi është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi që dyshohet se ka keqpërdorur informacionet e klasifikuara.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, M.K dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Por, sipas Drejtorit për Siguri në Institutin për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, ky rast është shokues.

“Rasti i arrestimit të zyrtarit të AKI-së me të vërtet është shokues. Rasti madje është shumë kompleks pasi nuk kemi të bëjmë me një person të profilit të ultë, por kemi të bëjmë me shefin e IT-së i cili ka pasur qasje të mëdha në informacionet e klasifikuara”, deklaroi për televizionin, Bedri Elezi.

Elezi thotë se është dashur të bëhen edhe arrestime tjera.

“Kemi të bëjmë me rrjedhe të informacioneve të nivelit më të lartë të mundshëm dhe nuk kemi përgjigje se kur kanë filluar të rrjedhin këto informacione, kush i ka dashur këto informacione dhe kush janë personat e rrezikuar pas rrjedhjes së këtyre informacioneve”, deklaroi tutje Elezi.

Pas arrestimit M.Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ai dyshohet se edhe në të kaluarën ka keqpërdoruar informacione.

(Kosova Sot Online)