Berisha: Reforma në drejtësi e çoi drejtësinë shqiptare nën kontrollin e PS-së

  • A.P /
  • 22 October 2021 - 20:26
Berisha: Reforma në drejtësi e çoi drejtësinë shqiptare nën kontrollin e PS-së

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar reformën në drejtësi që është miratuar në parlament që para 5 vitesh, me qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë në drejtim të profesionalizmit dhe efiçiencës. Sipas Berishës votimi i kësaj pakete solli një sistem drejtësie totalisht të kontrolluar nga Partia Socialiste. Ish-kreu i qeverisë thekson se kjo paketë  është ideuar dhe financuar nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur.

Postimi i plotë:

“Në korrik të 2021 mbushen pesë vite nga votimi në parlament i paketës kushtetuese të Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, e cila i solli vendit një sistem drejtësie totalisht të kontrolluar nga ekzekutivi. Kjo reformë është ideuar, iniciuar, financuar, nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur (OSF) dhe është draftuar nga bashkëpuntorët e këtij Fondacioni. Pas dështimit të saj dhe rënies dramatike të besimit të qytetarve tek reforma dhe sistemi i drejtësisë eksponentë kryesorë të OSF, në Shqipëri dhe në Europë, përpiqen të mohojnë rolin prej promotori kryesor të OSF në këtë reformë. Por dokumentet e vetë OSF dhe dokumente të tjera zyrtare provojnë se ideja e Reformës të Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri u formulua pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet nga OSF, në Planin e Strategjisë për vitet 2014-2017 të këtij Fondacioni, të publikuar në dhjetor të vitit 2013. OSF do të ishte jo vetëm ideator dhe iniciator i kësaj reforme, por dhe financues e promotori i saj. OSF me qeverinë krijoi trurin e reformës – Grupin e Ekspertëve të Lartë të Reformës në Drejtësi (GELR), i cili përbëhej nga bashkëpuntorë të OSF, ish-ministra, zëvendës ministra e zyrtarë të tjerë të Partisë Socialiste, si dhe ekspertë të misioneve për ligjin pranë ambasadave të SHBA dhe BE. Antarët e GELR në përputhje me parimin kush paguan vendos, u paguan nga OSF deri në fund të reformës. GELR nuk pranoi si antar asnjë nga kandidaturat e propozuara nga opozita. Misioni i GELR, si truri i reformës, ishte hartimi i amandamenteve kushtetuese dhe ligjeve organike të reformës së drejtësisë, të cilat miratoheshin në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës (KPPR) vetëm me votat e mazhorancës. Opozita ndonëse pa të drejtë vetoje dhe anipse ekspertët e saj nuk u pranuan nga GELR, mori pjesë në KPPR. Ajo vuri si kusht të vetëm për këtë pjesmarrje dërgimin në Komisionin e Venecias për opinion të draftit të ndryshimeve kushtetuese të përgatitur nga GELR dhe të miratuar nga KPPR vetëm me votat e mazhorancës, si edhe oponencën e opozitës ndaj këtij drafti. Palët binin dakord të pranonin rekomandimet e Komisionit të Venecias.”

Miq sa më sipër është pjesë e raportit mbi kapjen e reformës dhe sistemit të drejtësisë shqiptare nga George Soros për llogari të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Raportin e plotë në shqip dhe anglisht e gjeni ne linqet bashkangjitur me kete postim. Raporti në anglisht është botuar nga The International Institute for Middle East and Balkan Studies (IFIMES).

(Kosova Sot Online)