Një vit nga vjedhja e 2.1 milionë euro, Prokuroria e Ministria e Financave heshtin

  • A.P /
  • 22 October 2021 - 20:02
Një vit nga vjedhja e 2.1 milionë euro, Prokuroria e Ministria e Financave heshtin

Thesari i shtetit është për gati 2.1 milionë euro më i varfër, tash e një vit. Kaq është shuma që u vodh prej tij përmes një sulmi kibernetik të kryer më herët, por që u bë publik tek më 21 tetor të vitit të kaluar.

Një pjesë e të hollave, rreth 600 mijë euro ishin bllokuar që në fillim. Megjithatë, nuk dihet akoma asgjë për fatin e 1.4 milionëshit tjetër. Nga Ministria e Financave nuk janë përgjigjur nëse është kthyer ndonjë pjesë e këtyre parave në kuletën e shtetit. E për to nuk u prononcua as Hykmete Bajrami, që aso kohe ishte Ministre e këtij dikasteri dhe as Prokuroria Speciale.

Krejt çka dihet deri tani, është se Gjykata mund të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit.

Kjo barrë në rast se shpallën fajtorë bie mbi Labionot Grudën dhe Kadri Shalën, dy të dyshuarit kryesorë për vjedhjen e thesarit, ndaj të cilëve veçse është ngritur aktakuzë.

Në këtë drejtim atyre deri tash u janë konfiskuar katër vetura. Të njëjtit akuzohen për disa vepra penale, raporton Frontonline.net.

“Labinot Gruda akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’ si dhe “Shpëlarje e parasë’’ në bashkëkryerje me Kadri Shalën”. Ndaj Kadri Shalës është ngritur aktakuza për shkak të veprave penale “Shpëlarje e parasë’’ në bashkëveprim me të pandehurin Labinot Gruda dhe për veprën penale ‘’Ndihma’’ dhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, thuhet nga ana e Prokurorisë Speciale në një komunikatë të mëhershme të tyre.

2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik.

Mjetet janë tërhequr nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës më 9 tetor 2020.

(Kosova Sot Online)