Këshilli Prokurorial paralajmëron ndërprerjen e komunikimit me Qeverinë

  • E.K /
  • 23 October 2021 - 12:10
Këshilli Prokurorial paralajmëron ndërprerjen e komunikimit me Qeverinë

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka paralajmëruar se do të ndërpresë komunikimin me Qeverinë apo pushtetin ekzekutiv, siç i janë referuar ata, nëse këta të fundit nuk distancohen nga deklarata e zëvendësministrit Blerim Sallahu.

Sallahu, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se edhe prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale.

“Deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial. Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit.

Sipas kësaj komunikate, Prokurori i Shtetit ka thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media dhe çfarëdo shkelje eventuale do të ketë reagime ligjore.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa zëvendësministri Blerim Sallahu, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, kishte reaguar ndaj një shkrimi të shpërndarë në media, ku përmendet një ish-prokuror.

“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Përveç mekanizmit të Vettingut, janë shumë të rëndësishme edhe ndryshimet ligjore që eliminojnë piramidat kriminale. Siç kemi thënë shteti i së drejtës nuk ka alternativë, prandaj edhe shumë shpejt pritet që këto ndryshime t’i procedohen Kuvendit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Sallahut.

(Kosova Sot Online)