CNN: Ky është aktualisht produkti më i rrezikshëm në planet

  • A.P /
  • 24 October 2021 - 16:06
CNN: Ky është aktualisht produkti më i rrezikshëm në planet

Një magazinë në periferi të kryeqytetit tajlandez, Bangkok ishte plot me doreza mbrojtëse të përdorura. 

Aty pranë ishte një tas plastik, i mbushur me bojë blu dhe disa palë doreza.

Gjegjësisht, zyrtarët tajlandezë njoftuan se punëtorët në këto magazina po përpiqen të lyejnë dorezat e përdorura për t’i bërë ato të duken si të reja. 

Edhe pse autoritetet tajlandeze bastisën këtë magazinë në dhjetor të vitit të kaluar, ka ende shumë vende të tilla në Tajlandë.

Kërkesat për doreza mbrojtëse janë rritur ndjeshëm nga pandemia e koronavirusit, dhe qëllimi është eksporti. 

Hulumtimet disamujore të CNN zbuluan se dhjetëra miliona doreza të përdorura mbërritën në Shtetet e Bashkuara.

Një hetim penal është duke u zhvilluar në SHBA dhe Tajlandë dhe Douglas Stein, një nga furnizuesit e pajisjeve mbrojtëse, thotë se dorezat mbrojtëse janë aktualisht malli më i rrezikshëm në planet. 

“Një sasi e madhe e produkteve të këqija po vijnë. Doreza të ndyra, të përdorura dhe nën standarde po vijnë në SHBA, dhe autoritetet vetëm tash duket se po e kuptojnë shkallën e madhe të rrezikut”, thotë Stein. 

Megjithatë, pavarësisht rrezikut të mundshëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pacientët, autoritetet amerikane po luftojnë me tregtinë e paligjshme – pjesërisht për shkak se rregulloret për importimin e pajisjeve mjekësore mbrojtëse janë pezulluar përkohësisht për shkak të pandemisë.

Në shkurt dhe mars të këtij viti, një kompani amerikane paralajmëroi dy agjenci qeveritare se kishte marrë dërgesa plot me doreza dukshëm të ndyra nga një kompani tajlandeze. 

Megjithatë, kompania tajlandeze arriti të dërgojë dhjetëra miliona doreza të tjera në muajt pasues. 

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i tha CNN se nuk mund të komentonin për raste individuale, por se ata kishin ndërmarrë një sërë hapash për të gjetur burimin dhe për t’i ndaluar shitjet e tilla. 

(Kosova Sot Online)