Lexoni edhe:
Heshtja e Shpend Ahmetit për skandalin me pronën publike në Dardani është përpjekje për ikje nga përgjegjësia penale dhe ndëshkimi me burg
Rritja e numrit të njerëzve të prekur nga gripi i shpezëve këtë vit në Kinë po i shton shqetësimet e ekspertëve, të cilët thonë se një variant që ka qarkulluar më parë duket se ka ndryshuar dhe se mund të jetë më ngjitës te njerëzit.
Kina ka raportuar 21 infektime njerëzore me nën-variantin H5N6 të gripit të shpezëve në Organizatën Botërore të Shëndetësisë gjatë këtij viti, në krahasim me vetëm pesë raste vitin e kaluar, shkruan Reuters.
Ndonëse këto shifra janë shumë më të vogla se qindra rastet me gripin H7N9 në vitin 2017, infeksionet janë serioze, duke lënë shumë prej të infektuarve në gjendje kritike dhe së paku gjashtë të vdekur.
“Rritja e numrit të rasteve në njerëz në Kinë këtë vit është për shqetësim. Është një virus që shkakon vdekshmëri të lartë”, tha Thijs Kuiken, profesor i patologjisë krahasimtare në Qendrën Universitare Mjekësore “Erasmus” në Roterdam të Holandës.
Shumica e rasteve kanë pasur kontakt me shpezë dhe nuk ka raste të konfirmuara që janë përhapur nga njeriu në njeri, tha OBSh-ja, që e theksoi rritjen e numrit përmes një deklarate të publikuar më 4 tetor.
Përderisa janë raportuar raste njerëzore me gripin H5N6, në sektorin e shpezërisë në Kinë nuk janë raportuar përhapje të këtij gripi që nga shkurti i vitit të kaluar.
Ndryshe, Kina është e para në botë për kultivimin e shpezëve në përgjithësi dhe gjithashtu kultivuesja më e madhe e rosave, që shërbejnë si vendstrehim i viruseve të gripit.
(Kosova Sot Online)