Dënimi me 8 muaj burg për dhunimin e 15-vjeçares, Lumezi kërkon të merren masa

  • E.K /
  • 26 October 2021 - 14:26
Dënimi me 8 muaj burg për dhunimin e 15-vjeçares, Lumezi kërkon të merren masa

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj që të rishyrtojë lëndën e prokurores Lirije Morina, lidhur me dhunimin e 15-vjeçares në Gjakovë.

Lumezi i ka kërkuar Kurmehajt që nga të gjeturat të të ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Prishtinë, 26 tetor 2021 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale PP.nr. 68/12 të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, para tre muajsh Gazeta Express kishte raportuar për rastin e dhunimit të një 15-vjeçareje në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, dhunuesi i saj me inicialet P.K., u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim nga Gjykata Themelore e Pejës.

Në natën kritike, e mitura ishte dhunuar nga 21-vjeçari i dënuar dhe nga dy të mitur. Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë (tani Gjykata Themelore në Pejë, në qershor të vitit 2012), të cilin e posedon  Express, i akuzuari P.K., ishte dënuar me burgim prej një viti, gjithashtu edhe dy të miturve i ishte shqiptuar burgim për të mitur në kohëzgjatje prej një viti.

Por, Gjykata e Apelit, në vitin 2014 e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.K., dhe të atij F.H., duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe rasti i ishte kthyer gjykatës për rivendosje.

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, ka shpallur fajtor P.K., tani 31 vjeçar, në atë kohë 21-vjeç për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”. Ai është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 8 muaj e 8 ditë, duke llogaritur kohën sa ka qëndruar në paraburgim.

P.K., ka qëndruar në masën e paraburgimit nga data 29.02.2012 deri më 06.11.2012. I mituri F.H., në paraburgim ka qëndruar nga data 29.02.2012 deri më 30.03.2012, i mituri A.I., gjithashtu ka qëndruar në paraburgim nga data 29.02.2012, thuhet në aktgjykim, por kohëzgjatja e tij në paraburgim nuk është e shkruar në aktgjykim.

(Kosova Sot Online)