Vuçiq: Me 6 nëntor do të ketë aksion të ri në veri, do të ishte katastrofike për ne

  • A.P /
  • 26 October 2021 - 20:48
Vuçiq: Me 6 nëntor do të ketë aksion të ri në veri, do të ishte katastrofike për ne

Presidenti i Serbisë, AleksandarVuçiq ka përmendur datën 6 nëntor kur Qeveria e Kosovës mund të nisë aksionin për marrje nën kontroll të trafostacionit “Valaç” në afërsi të Zveçanit. Sipas mediave serbe, përmes këtij trafostacioni shpërndahet 85 për qind e rrymës për veriun.

Ditëve të fundit në mediat serbe ka qarkulluar një informatë se “ekziston rreziku që Kurti ta shfrytëzojë situatën dhe të marr nën kontroll trafostacionin në “Valaç”, afër Zveçanit, përmes së të cilit shpërndahet 85 për qind e energjisë elektrike në veri.

Sa i përket kërcënimeve të tjera, ai tha për mediat serbe se është i sigurt se [autoritetet në Prishtinë] po e planifikojnë këtë, “sikurse nga arsye të ndryshme po e presin 6 nëntorin, duke planifikuar marrjen e ‘Valaçit’ në periudhën e ardhshme”

“Këto do të ishin lajme katastrofale dhe të tmerrshme për popullin tonë”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se është shumë i shqetësuar për faktin se “shqiptarët e Kosovës kanë treguar se për ta nuk vlejnë marrëveshjet ndërkombëtare”.

Ai tha se janë shtruar keq ata që kanë planifikuar këtë.

“Nuk jam i sigurt se do të jenë lajme të mira as për ta. Duhet të mendohet mirë për vendimet vetanake. Nuk kemi ku të shkojmë, ne mund të bëjmë vetëm lëvizje të detyruara, jo për fajin tonë”, tha ai.

Më tej presidenti serb tha se “do të mund të provohet me një aksion të tillë, sikurse ishte realizuar në vendkalimet kufitare”.

Vuçiq iu përgjigj pyetjes së gazetarëve për të komentuar faktin se SHBA-të e porosisin Prishtinën se duhet t’i përmbushë obligimet e saj, përfshirë edhe formimin e Asociacionit. Ndërsa, sipas tyre, ” zv.kryeministri i Kosovës Bislimi tha se nuk do të ketë formim të Asociacionit dhe në një bisedë me Borrellin paralajmëroi se Policia e Kosovës do të vazhdojë me aksionet”.

“Më shqetësojnë fjalët e tij, para së gjithash sepse mund ta thonë lirisht se asnjë marrëveshje nuk vlen dhe se atyre nuk u interesojnë aktet juridike ndërkombëtare që janë të vlefshme edhe sipas sistemit të tyre normativ, sepse marrëveshjet ndërkombëtare janë mbi legjislacionin kombëtar, kurse bashkësia ndërkombëtare nuk reagon, ose reagon shumë butë, atëherë ne jemi në telashe”, theksoi Vuçiq.


(Kosova Sot Online)