Hamza: Isha në sandviç mes pushtetit qendror dhe lokal

  • A.P /
  • 26 tetor 2021 - 21:11
Hamza: Isha në sandviç mes pushtetit qendror dhe lokal

Fituesi i zgjedhjeve lokale në komunën e Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se ka pasur besim gjithmonë në fitore, por edhe ka pasur respekt për kundërshtarët. Ai thotë se qytetari i Mitrovicës ishte përcaktuar prej kohësh se kënd do të votonte.

Hamza po ashtu thotë se e kishte garën e vështirë për shkak se kishte punë në dy fronte, atë qendror dhe lokal.

“Nuk ishte e lehtë. Isha në sandviç mes pushtetit qendror dhe lokal. Pati shumë vizita, më shumë se zakonisht në Mitrovicë nga përfaqësues të institucioneve. Është legjitime dhe ka ndodhur edhe më herët, por ja vlen të përmendet. Megjithatë, nuk isha i shqetësuar. E dija që qytetari ishte përcaktuar më herët për atë që do të votonte”, tha ai.

Ai po ashtu tha se votat i kanë ardhur nga të gjitha anët dhe kishte përkrahje të gjithanshme.

“I respektova të gjithë kandidatët. Mora vota nga anëtarë të partive të ndryshme politike”, thotë ai.

Hamza është kandidati i parë që ka fituar komunën e Mitrovicës pa balotazh. Historikisht, ky qytet gjithmonë ka shkuar në dy raunde të votimeve. Edhe Hamza e cek këtë.

“Prej pasluftës në Mitrovicë, askush nuk ka fituar vota më shumë se PDK”, thotë vetë Hamza.

(Kosova Sot Online)