Nis vazhdimi i seancës së gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

  • E.K /
  • 27 October 2021 - 10:39
Nis vazhdimi i seancës së gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar vazhdimi i seancës së gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Sot në këtë seancë pritet që gazetari kosovar Halil Berisha të vazhdojë me dëshminë e tij në rastin e publikimit të dokumenteve të Gjykatës Speciale.

Ata po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj Gucatit e Haradinajt u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u publikua më 14 dhjetor 2020. Ndërsa, një aktakuzë e korrigjuar u parashtrua më 5 korrik 2021, kurse ajo me më pak redaktime më 4 tetor 2021.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

(Kosova Sot Online)