'12 shtete pritet të tërheqin njohjen e Kosovës'

  • G.G /
  • 27 tetor 2021 - 11:12
'12 shtete pritet të tërheqin njohjen e Kosovës'

“Një duzinë vendesh janë gati ta tërheqin njohjen e Kosovës”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviç në një intervistë në “Vecerni Novosti”.

“Për ne, viti në të cilin Serbia, si një vend i vogël, por krenar, e vendosur të ruante me xhelozi pavarësinë e saj politike dhe neutralitetin ushtarak, u detyrua të luftonte për interesat e saj në një mjedis politik kompleks dhe të ngarkuar me probleme”, tha Selakoviç në një intervistë të botuar në edicionin e së mërkurës.

Me Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në shtator të vitit 2020, Kosova mori përsipër të pezullojë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për 12 muaj dhe Serbia pranoi të pezullojë fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës në të njëjtën periudhë.

Uashington, 4 shtrator 2020

“Në shtator Kosovën do ta çnjohin mbi 10 shtete”

Në muajin gusht të këtij viti, mediet serbe kishin raportuar se në shtator mbi dhjetë shtete do të çnjohin Kosovën.

Beogradi kishte marrë garanci të forta se vendet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën do të vazhdojnë të mos e njohin dhe gjithashtu, siç shkruante Novosti, gazeta serbe e afërt me qeverinë, po sa të përfundojë memorandumi për mos-lobim nga Kosova dhe Serbia, i arritur në Uashington me 4 shtator të vitit të kaluar, “Kosovën do ta çnjohin mbi 10 shtete”.

“Lista e vendeve të gatshme për të tërhequr mbështetjen për Kosovën, nëse Serbia u kërkon atyre ta bëjnë këtë, ka tejkaluar numrin dhjetë”, shkruan mediumi serb, bazuar në burimet e afërta me qeverinë.

Sipas artikullit, Serbia e ka respektuar memorandumin e Uashingtonit për të mos bërë lobim për tërheqje të njohjeve të Kosovës, porse me të përfunduar ai do të vazhdojnë fushatën diplomatike.

Pa dhënë ndonjë referencë konkrete dhe emrat të shteteve, gazeta shkruan se Kosova nuk e ka respektuar fare marrëveshjen për mos-lobim, “sepse në prapaskenë ata po kryejnë aksione diplomatik prej javësh me qëllim njohjen, por edhe për t’u bërë anëtar i disa organizatave ndërkombëtare”.

Por, “as Beogradi nuk qëndron duarkryq, dhe me ndihmën e aleatëve, Rusisë dhe Kinës, është gati të përgjigjet në mënyrë adekuate”.

Novosti, prapë duke u mbështetur në burime, shkruan se Kosova “kohët e fundit i kishte kërkuar Gjeorgjisë, Ukrainës, Azerbajxhanit dhe disa vende të tjera që të njihnin pavarësinë e Kosovës, megjithatë, atje ata kryesisht trokasin në dyer të mbyllura, si në rastin e Bakut, zyrtarët e të cilit, kohët e fundit i dhanë garanci të forta ministrit të jashtëm serb Nikola Selakoviç se ata do të vazhdojnë të mbështesin Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën”.

“Selakoviç mori të njëjtin konfirmim nga autoritetet e Kenisë, Zimbabve dhe Zambisë, ndjekur nga vizita në Angola dhe Namibi, të cilat gjithashtu nuk e njohin Kosovën”.

Presidenti i Serbisë, Alexandër Vuçiç

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjithashtu ka thënë se “nëse dikush merr vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të aktivizojë menjëherë fushatën e tërheqjes së njohjes”.

Sipas Vuçiç, “nervozizmi i Prishtinës është i dukshëm, sepse gjërat nuk po shkojnë ashtu siç e kishin imagjinuar”.

Novosti është një nga gazetat më të afërta me presidentin Vuçiç dhe qeverinë që kontrollohet nga ai. Kjo gazetë është një nga mediumet që Twitter e ka shënjuar si “pro-qeveritare”, në veprimin e fundit të rrjetit social ku ka kategorizuar mediumet në Serbi.

Ishte ky medium një nga më të zëshmit në sulmin që iu bë gazetarëve të mediave të pavarura në Serbi, kur ata zbuluan transkriptat e kriminelit Veljko Belivuk, i cili thoshte se për veprimtarinë e tij kriminale “ka qenë në dijeni Vuçiç, madje disa kanë qenë urdhra direkt të tij”.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës nuk është se ka bërë të ditur përafrim me ndonjë shtet të ri jo njohës, përveç raportimeve të fundit se Greqia është afër që të futet në marrëdhënie bilaterale me Kosovën.

Madje, edhe vizita e fundit e kryeministrit Albin Kurti në Athinë u tha se u bë kryesisht për këtë arsye – diskutimin e një njohje të re.

(Kosova Sot Online)