Iniciohet procedurë disiplinore ndaj prokurores në rastin e dhunimit të 15-vjeçares

  • A.P /
  • 27 October 2021 - 18:24
Iniciohet procedurë disiplinore ndaj prokurores në rastin e dhunimit të 15-vjeçares

Prokuroria Themelore në Pejë, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores Lirije Morina, e cila ka përfaqësuar lëndën e dhunimit të 15-vjeçares.

Kjo masë u mor një ditë pas kërkesës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, drejtuar Kryeprokurorit të Pejës, Agim Kurmehaj që të rishyrtojë lëndën e prokurores Lirije Morina, lidhur me dhunimin e 15-vjeçares në Gjakovë.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik lidhur me çështjen penale PP.nr.68/12, për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 193, paragrafi 3 i KPK-së, se Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës, konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores, e cila ka përfaqësuar këtë lëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës

Prokurorja Lirije Morina, u pajtua me dënimin e shqiptuar nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të së miturës.

Para tre muajsh Gazeta Express kishte raportuar për rastin e dhunimit të një 15-vjeçareje në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, dhunuesi i saj me inicialet P.K., u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim nga Gjykata Themelore e Pejës.

Në natën kritike, e mitura ishte dhunuar nga 21-vjeçari i dënuar dhe nga dy të mitur. Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë (tani Gjykata Themelore në Pejë, në qershor të vitit 2012), të cilin e posedon i akuzuari P.K., ishte dënuar me burgim prej një viti, gjithashtu edhe dy të miturve i ishte shqiptuar burgim për të mitur në kohëzgjatje prej një viti.

Por, Gjykata e Apelit, në vitin 2014 e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.K., dhe të atij F.H., duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe rasti i ishte kthyer gjykatës për rivendosje.

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, ka shpallur fajtor P.K., tani 31 vjeçar, në atë kohë 21-vjeç për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”. Ai është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 8 muaj e 8 ditë, duke llogaritur kohën sa ka qëndruar në paraburgim.

P.K., ka qëndruar në masën e paraburgimit nga data 29.02.2012 deri më 06.11.2012. I mituri F.H., në paraburgim ka qëndruar nga data 29.02.2012 deri më 30.03.2012, i mituri A.I., gjithashtu ka qëndruar në paraburgim nga data 29.02.2012, thuhet në aktgjykim, por kohëzgjatja e tij në paraburgim nuk është e shkruar në aktgjykim.

(Kosova Sot Online)