Forcat e shtuara të Policisë së Kosovës largohen nga shtëpia e Albin Kurtit

  • A.P /
  • 27 tetor 2021 - 22:37
Forcat e shtuara të Policisë së Kosovës largohen nga shtëpia e Albin Kurtit

Forcat e Shtuara të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës tashmë janë larguar nga shtëpia e kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Pas disa orëve qëndrim në këtë vend, tashmë aty po qëndrojnë vetëm dy zyrtarë policorë të cilët thuajse janë çdoherë në këtë vend.

Kryeministri Kurti pak më parë është kthyer në shtëpi nën sigurinë e lartë të zyrtarëve policorë të njësive të ndryshme, ndërsa tani në shtëpinë e Kurtit raportohet të jetë qetësi e zakonshme.

Kërcënimi që iu bë kryeministrit Kurti u konfirmua sonte nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, por i njëjti nuk dha detaje shtesë.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha ai.

E lidhur me këtë nuk pati asnjë deklarim as nga Policia e Kosovës. Përpos se Kurti është kërcënuar asnjë detaj tjetër nuk është thënë lidhur me këtë çështje, madje as për formën e kërcënimit që mori kryeministri.

Mbetet të shihet nëse kërcënimi në fjalë tashmë po shqyrtohet nga organet e hetuesisë e të dihet më qartë se çfarë saktësisht ndodhi me këtë situatë.


(Kosova Sot Online)