Mali i Zi, ligji antimafia dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme

  • A.P /
  • 27 October 2021 - 23:12
Mali i Zi, ligji antimafia dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme

Të mërkurën në Podgoricë qeveria malazeze, në një konferencë me gazetarë ka prezantuar një iniciativë ligjore, mbi bazën e të cilës do të konfiskohen pasuritë me origjinë të paligjshme, e cila pas një debati publik do të paraqitet në parlament për miratim.

Zv/kryeministri Dritan Abazoviq tha se ligji do të kontribuojë ndjeshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky është një ligj i qartë dhe shumë ambicioz me qëllim që t’i jepet fund pasurimit të paligjshëm shtoi ai.

“Unë do ta quaja një ligj kundër mafies”, tha Abazoviq. Ai tha se pret mbështetjen e 81 deputetëve në Kuvend.

Abazoviq shtoi se “atyre personave që nuk e provojnë dot se pasuritë e tyre nuk janë vendosur në mënyrë të ligjshme, do t’u konfiskohen automjetet, shtëpia, apo jahtet, të cilat do të bëhen pronë e Malit të Zi”.

Konfiskimi i pasurive me origjinë të paligjshme do të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve malazeze, u tha gjatë konferencën me gazetarë.

(Kosova Sot Online)