Mori ryfshet 250 euro, polici kosovar dënohet me 2 mijë e 700 euro gjobë

  • E.K /
  • 29 October 2021 - 11:10
Mori ryfshet 250 euro, polici kosovar dënohet me 2 mijë e 700 euro gjobë

I pandehuri akuzohet se kishte kërkuar dhe marrë nga i dëmtuari 250 euro ryshfet për t’ia dorëzuar librezën e qarkullimit, të cilin Delija sipas prokurorisë refuzonte t’ia jepte të dëmtuarit.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Murat Hulaj, i pandehuri fillimisht është dënuar me 6 muaj burgim mirëpo me pëlqimin e tij iu shëndërrua me 2700 euro gjobë.

Në dënimin me gjobë, iu është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 120 ditësh, që sipas gjykatësit 1800 euro është përmbushur ndërsa ka mbetur vetëm shuma prej 900 euro, të cilin detyrohet të paguaj brenda afatit prej 90 ditësh.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndryshe, në seancën fillestare të 28 tetor 2021, i pandehuri është deklaruar i fajshëm për akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Qamil Delija, i cili ngarkohet se në maj të këtij viti i ka marrë 250 euro ryshfet, nga i dëmtuari në këmbim të kthimit të librezës së qarkullimit.

Sipas aktakuzës të siguruar nga ‘’Betimi për Drejtësi’’, theksohet se i pandehuri kishte kërkuar dhe marrë nga i dëmtuari 250 euro ryshfet për t’ia dorëzuar librezën e qarkullimit, të cilin Delija sipas prokurorisë refuzonte t’ia jepte të dëmtuarit, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se me 23 maj 2021, në Klinë, në cilësi të personit zyrtar të policit e me qëllim të përfitimit për veti dhe shkaktimit të dëmit të personit tjetër, V.K, në kundërshtim me Ligjin mbi Policin nr.04/L-076 neni 11 par. 5, i akuzuari përmes dëshmitarit P.D siguron lejen e qarkullimit të veturës pronë e të dëmtuarit V.K., librezën e qarkullimit nuk e dorëzoi në Polici apo t’ia kthejë të dëmtuarit, por kërkon nga i dëmtuari që për kthimin e librezës t’ia japë 250 euro ose në të kundërtën nuk do t’ia kthej librezën.

Sipas aktakuzës i dëmtuari e njofton IPK-në, dhe pas disa bisedave telefonike mes të pandehurit dhe të dëmtuarit, ata takohen përballë pompës së derivateve, me ç’rast i dëmtuari V, i dorëzon të pandehurit shumën prej 250 euro, ai ia kthen librezën e qarkullimit, ku në atë moment arrestohet nga hetuesit e IPK-së.

Me këtë veprim zyrtari policor ka kryer vepër penale; ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ku dënimi parashihet prej një (1) deri në tetë (8) vjet burgim.

(Kosova Sot Online)