Zbulimi i origjinës së koronavirusit, ShBA’ja jep lajmin e keq

  • 30 October 2021 - 08:51
Zbulimi i origjinës së koronavirusit, ShBA’ja jep lajmin e keq

Agjencitë amerikane të zbulimit thanë të premten se ndoshta nuk do të munden të identifikojnë origjinën e koronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI) thotë në një raport që nuk është i klasifikuar, se origjina natyrore apo prejardhja nga një laborator janë të dyja hipoteza të mundshme se si SARS-COV-2 arriti të infektojë njerëzit.Raporti hedh poshtë sugjerimet se koronavirusi mund të jetë përdorur si një armë biologjike, duke vënë në dukje se mbështetësit e kësaj teorie “nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë tek Instituti i Virologjisë në Wuhan” dhe se janë akuzuar për përhapje të dezinformimit.

Raporti i qarkulluar të premten është përditësim i një përmbledhjeje 90-ditore që administrata e Presidentit Joe Biden publikoi në muajin gusht, ndërsa po zhvillohej një betejë e fortë politike se sa duhej fajësuar Kina për efektet e pandemisë globale, në vend të qeverive që mund të mos kenë vepruar me shpejtësinë e duhur për të mbrojtur qytetarët e tyre.

COVID-19 përshkruhej shpesh si “virusi kinez” nga ish-Presidenti Donald Trump, i cili humbi fushatën për rizgjedhjeje ndërsa pandemia godiste ekonominë amerikane dhe shumë nga mbështetësit e tij.

Raporti i ODNI-së thotë se katër nga agjencitë amerikane të zbulimit dhe një grup pune me pjesëmarrjen e disa agjencive kanë “besim të ulët” në versionin se COVID-19 e pati origjinën te një kafshë e infektuar ose një virus tjetër i ngjashëm.

Por njëra prej agjencive tha se ka besim se infektimi i parë i një njeriu me COVID-19 ishte me shumë gjasa rezultat i një aksidenti në laborator, i lidhur ndoshta me ndonjë eksperimentim ose përfshirje të kafshëve në Institutin e Virologjisë në Wuhan.

Agjencitë amerikane të zbulimit mendojnë se nuk do të jenë në gjendje të japin një shpjegim më të qartë për origjinën e COVID-19 pa ndonjë informacion të mëtejshëm që do të tregonte se virusi përshkroi një trajektore të caktuar nga kafshët për te njerëzit, ose që laboratori në Wuhan po e menaxhonte këtë virus ose ndonjë virus të ngjashëm përpara se të shfaqej COVID-19, shkruan VOA.

Raporti thotë se agjencitë amerikane dhe komuniteti global shkencor nuk kanë “mostra klinike apo një botëkuptim të plotë të të dhënave epidemiologjike nga rastet më të hershme të COVID-19” dhe shton se do ta rishqyrtojnë këtë konkluzion nëse do të shfaqet ndonjë evidencë e mëtejshme.

Kina është përballur me kritika ndërkombëtare se nuk bashkëpunoi më mirë për hetimin e origjinës së COVID-it.

(Kosova Sot Online )