Arabia Saudite e dëbon ambasadorin e Libanit për një koment të ministrit

  • S.A /
  • 30 October 2021 - 09:19
Arabia Saudite e dëbon ambasadorin e Libanit për një koment të ministrit

Arabia Saudite e ka urdhëruar ambasadorin e Libanit në Riad që të largohet brenda 48 orëve për shkak të komenteve të një ministri libanez, të cilat u cilësuan fyese.

Mbretëria gjithashtu ka vendosur ndalim të të gjitha importeve nga Libani, shkruan BBC. Vendimi erdhi disa ditë pas komenteve të ministit libanez të Informacionit rreth fushatës ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, të cilat nxitën reagime në Arabinë Saudite.

Përpos dëbimit të ambasadorit libanez, sauditët gjithashtu e thirrën ambasadorin e tyre në Liban për konsultime.

Në një intervistë të transmetuar këtë javë, por të incizuar në gusht, ministri libanez, George Kordahi, dukej se Arabinë Saudite e Emiratet e Bashkuara Arabe i cilësoi si agresorë në luftën e Jemenit.

Kordahi, i cili në kohën e komenteve ende nuk ishte ministër, e quajti konfliktin “të kotë” dhe tha se rebelët Houthi, të cilët besohet se përkrahen nga Irani, janë duke vepruar “në vetëmbrojtje”.

Megjithatë, Qeveria e Libanit tha se komentet e ministrit Kordahi nuk e pasqyrojnë pozicionin e saj.

Edhe Arabia Saudite, edhe rebelët janë përballur me kritika ndërkombëtare rreth dyshimeve për krime lufte në Jemen.

Raportet mes Libanit dhe Arabisë Saudite janë përkeqësuar viteve të fundit. Grupi militant i përkrahur nga Irani, Hezbollahu, i cili gjithashtu i përkrah rebelët Houthi në Jemen, është bërë më i fuqishëm në Liban. Ministri Kordahi është anëtar i një blloku politik që është aleat me Hezbollahun.

(Kosova Sot Online )