Bllokohet emërimi i Christopher Hill si ambasador në Serbi

  • G.G /
  • 30 October 2021 - 10:55
Bllokohet emërimi i Christopher Hill si ambasador në Serbi

Christopher Hill, kandidati për ambasador në Serbi, dhe 20 kolegë të tjerë të tij, do të duhet të presin akoma për t’u emëruar ambasadorë në shtetet respektive, pasi senatori republikan, Ted Cruz, ka bllokuar të gjithë procesin e emërimit të ambasadorëve nga Joe Biden, për shkak të Rusisë.

Për këtë arsye Senati nuk e ka pasur as mundësinë t’i votojë ambasadorët potencialë dhe Shtetet e Bashkua të Amerikës tashmë po vonohen të kompletojnë emërimet e diplomatëve nëpër shumicën e shteteve aleate.

Qëllimi kryesor i Cruz është ta detyrojë administratën që të vendosë sanksionet për kompaninë që mbështete nga qeveria ruse “Nord Stream 2”, një linjë gazi Rusi – Gjermani, për të cilën kritikët thonë se e fuqizon ekstremisht shumë Moskën zyrtare dhe i jep leva të rëndësishme në duar.

Administrata e Biden i hoqi sanksionet për “Nord Stream 2” në maj. Në një intervistë, Curz ka thënë se po përdorë opsionet e tij ligjore për ta bllokuar Biden për të bërë, siç e quan ai, “një gabim të përgjithshëm gjeopolitik”.

“Ky dorëzim te Putini nuk do ta diktojë veç të sotmen dhe të nesërmen, apo vetëm vitin tjetër, por dekada më pas”, deklaroi Cruz, raporton Washington Post.

“50 vjet nga tani do të kemi diktatorë rusë duke fituar miliarda e miliarda dollarë nga ‘Nord Stream 2’, të cilat do t’i përdorin për të rritur kapacitetet ushtarake kundër SHBA-ve dhe aleatëve tanë dhe gjithashtu do ta kenë mundësinë ta shantazhojnë Evropën sa herë të duan, meqë do krijojë varësi energjetike nga Rusia”.

Cruz nuk do të mund të bllokojë procesin krejtësisht, por ai do ta vonojë atë, pasi do të duhen procedura të tjera për intervistimin dhe verifikimin e kandidatëve për ambasadorë.

Derisa tek një pjesë e Republikanëve Cruz ka gjetur mbështetje, Demokratët e kanë kritikuar atë shumë, duke deklaruar se po i bën dëm të madh Amerikës, meqë po vonon procesin dhe po pamundëson prezencën amerikane në pjesën më të madhe të botës.

Megjithatë, Curz ka thënë se jo të gjithë do të bllokojë, por një pjesë të cilën ai e konsideron se duhet, dhe në këtë grup bie edhe Hill, i nominuari për ambasador në Serbi.

Kush është Christoper Hill? 

Christofer Hill iu bashkua Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1977, por për Ballkanin u bë i njohur nga lufta në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai ishte pjesë e ekipit që e negocioi marrëveshjen për paqe në Bosnje. Hill, bashkëpunëtor i afërt i Richard Holbrooke, atë kohë, kishte shërbyer edhe si zëvendës i tij në Bisedimet për Paqe në Dejton në vitin 1995.

“Brilant, i patrembur dhe augmentativ”, është përshkrimi që i bënte më pas Holbrooke në librin e tij me kujtime për negociatat në Dejton. Madje, sipas tij, metoda atraktive me qetësi, por dhe me pasion e Hill-it ishte një nga atutë kryesore që shtynte drejt një marrëveshje në negocimet e komplikuara me serbë, boshnjakë e kroatë.

Hill do ta vazhdonte ekspertizën e tij në Ballkan kur më pas do emërohej ambasador në Maqedoni dhe do të përfshihej direkt në përpjekjet për një zgjidhje paqësore mes presidentit serb Slobodan Millosheviç dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aq familjar ishte Hill në Ballkan saqë gazeta serbe Nasa Bora do shkruante se si Hill është i vetmi diplomat që s’ka nevojë të udhëtojë nëpër terrenet e trazuara me ndonjë përcjellje, pos shoferit të tij.

“Ambasadori Hill zakonisht vjen në Kosovë i pashoqëruar, përveç shoferit të “Opel” -it zyrtar. Ky informacion flet shumë për ‘njohuritë e tij për terrenin’ dhe sa i sigurt ndihet ai edhe në ato pjesë të krahinës që nuk janë as të arritshme për policinë”, shkruante gazeta.

Për këtë arsye, në Serbi shumë veta besonin se takimi i Richard Holbrooke me anëtarët e UÇK -së nuk ishte “aksidental”, siç pretendonte zyrtarisht Departamenti i Shtetit, porse në fakt ishte përgatitur nga vetë Hill.

(Kosova Sot Online)