Disa boshnjakë mblidhen para ambasadës amerikane, kërkojnë ndërhyrjen e Bidenit

  • A.P /
  • 01 November 2021 - 16:07
Disa boshnjakë mblidhen para ambasadës amerikane, kërkojnë ndërhyrjen e Bidenit

Një grup qytetarësh u mblodhën jo shumë larg ambasadës amerikane në Bosnjë, duke kërkuar që presidenti i SHBA-së, Joe Biden ta ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës.

Bëhet fjalë për të njëjtin grup qytetarësh që javën e kaluar protestuan duke kërkuar nga Përfaqësuesja e Lartë ta ndalojë anëtarin serb të Presidencës së BeH, Milorad Dodik.

“Ndërsa rendi kushtetues dhe juridik po shkatërrohet në një entitet (Republika Srpska), zoti (Matthew) Palmer po krijon një ent tjetër”, pohojnë protestuesit. Në një pankartë shkruhet: “Palmer, faleminderit që na dorëzove te rusët”.

Në pankartat që mbanin protestuesit shkruhej “Mirë se erdhe në Bosnjë e Hercegovinë” dhe “Zoti Palmer, faleminderit që na dorëzove në duart e rusëve”. Ata e ftuan Bidenin ta vizitojë BeH sepse vetëm atëherë, siç thanë ata, do të ndodhnin ndryshime.

Sipas televizionit N1 të Sarajevës, një numër më i vogël qytetarësh u mblodhën përpara Muzeut Kombëtar sot sesa javën e kaluar.

Ambasada Amerikane ka njoftuar sot se e mbështet lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për tubim paqësor. “Mendimi i qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës është shumë i rëndësishëm për ne. Ambasada është e mbyllur sot për shkak të festave: ne mbetemi të gatshëm të bisedojmë me qytetarët e shqetësuar. Gjithashtu inkurajojmë liderët të punojnë për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë, të pa ngarkuar nga korrupsioni, të cilën qytetarët e meritojnë”, shkruan Ambasada në llogarinë zyrtare në Twitter.

Ata deklaruan se angazhimi i SHBA ndaj BeH mbetet i fortë. “Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH, një shtet multietnik dhe demokratik. Ne vazhdojmë ta promovojmë dialogun midis udhëheqësve dhe të punojmë me partnerët tanë për të mbështetur Bosnjë e Hercegovinën në rrugën e saj drejt një të ardhmeje euro-atlantike”,thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

(Kosova Sot Online)