“Jeta jonë s’vlen më”, flasin prindërit e shqiptarit që u vra gjatë sulmit terrorist në Vjenë

  • E.K /
  • 02 nëntor 2021 - 12:20
“Jeta jonë s’vlen më”, flasin prindërit e shqiptarit që u vra gjatë sulmit terrorist në Vjenë

Edhe një vit pas ditës më të keqe të jetës së tyre, ata ende nuk mund ta kuptojnë pse u desh të vritej djali i tyre Nexhipi.

Qyteti i Vjenës sot përkujton sulmin e tmerrshëm të 2 nëntorit 2020. Një vit më parë, kryeqyteti austriak u trondit nga sulmi i një terroristi. Në qendër të qytetit vjenez, atentatori qëlloi njerëz të pafajshëm, të cilët ishin duke shijuar orët e mbrëmjes së vjeshtës. Gjatë këtij aksioni ai vrau katër persona dhe plagosi 23 të tjerë.

Vetëm pak minuta më vonë, njësia speciale e policisë së Vjenës e qëlloi sulmuesin për vdekje. Njëri nga katër personat që u qëllua pafajshëm ishte edhe i riu 21-vjeçar Nexhip V. nga Veleshta e Maqedonisë, me banim në Kroneuburg të Austrisë, shkruan albinfo.at.

Një vit pas këtij akti makabër, prindërit e viktimës Nexhip V. dërgojnë lule mbi varrin e djalit të tyre të varrosur në Strugë, ndërkohë për televizionin austriak Puls4 ata flasin për humbjen e djalit të tyre.

Edhe një vit pas ditës më të keqe të jetës së tyre, ata ende nuk mund ta kuptojnë pse u desh të vritej djali i tyre, Nexhipi. 21-vjeçari ishte i pari nga katër viktimat e sulmit terrorist. Ai po udhëtonte me një shok në trekëndëshin e Bermudës më 2 nëntor 2020, kur atentatori e qëlloi me gjakftohtësi.

“Jeta jonë nuk vlen më asgjë. Unë kam humbur një pjesë të trupit tim”, thotë Keriman V., nëna e Nexhipit, në dokumentarin Puls4 me titullin “Anschlag auf uns” (Sulmi mbi ne). “Ndonjëherë mendoj se nuk ka vdekur, ai do të kthehet prapë”, thotë ajo, përcjell albinfo.at.

Nexhipin e varrosën në Maqedoni, prej nga vjen edhe familja e tij. “Ai donte të gjente një punë, të martohej dhe të krijonte një familje si babai i tij”, shprehet babai Nasir V., i cili përpiqet të ruajë qetësinë. “Ai ishte fëmija ynë i parë. Ai na vuri emrat: nënë dhe baba”, shton Nasiri.

Vëllai i të vdekurit thirri prindërit

Natën e terrorit, prindërit morën një telefonatë nga djali i tyre i dytë, i cili u tha prindërve të tij: “Me duket se e kanë qëlluar Nexhipin. Duhet të shkoni në polici”. Ata nuk mund të ndihmoheshin nga policia në Korneuburg dhe Keriman dhe Nasir V. shikuan  në televizor, nëse mund te jepej një numër kontakti, ku duhet ta kërkonin djalin e tyre. “Nuk arrija t’i kuptoj ata policë”, thotë e trishtuar nëna e Nexhipit.

(Kosova Sot Online)