Cili shtet ia hapi dyert kosovarëve në vitin 2020?

  • G.G /
  • 02 November 2021 - 14:19
Cili shtet ia hapi dyert kosovarëve në vitin 2020?

31654 qytetarë të Kosovës kanë marrë leje qëndrimi në shtetet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2020.

Këto të dhëna janë publikuar nga Instituti Evropian i Statistikave (EUROSTAT).

Sipas këtyre statistikave, qytetarët e shteteve jashtë BE-së që kanë marrë më së shumti leje qëndrimi në shtetet e BE-së janë ata të Ukrainës, me gjithsej 601 200 leje qëndrimi.

Pastaj janë qytetarët e Marokut - 123 400 leje qëndrimi dhe të Indisë me 79 270 leje qëndrimi.

Qytetarët e këtyre tri vendeve përbëjnë më shumë se një të tretën (36%) e të gjitha lejeve të qëndrimeve që janë lëshuar nga shtetet anëtare të BE-së në vitin 2020.

Gjatë vitit 2020 Polonia është vendi që ka lëshuar më së shumti leje qëndrimi - 598 000 nga 2.2 milionë leje qëndrimi të lëshuara në BE për shtetas jo të BE-së (26%). Pas saj është renditur Gjermania, me 313 000, apo 14% dhe Spanja me 312 000 leje qëndrimi, apo 14% e të leje qëndrimeve totale.

Bazuar në këto të dhëna, kosovarët kanë marrë më së shumti leje qëndrimi në Gjermani (15895), pasuar nga Kroacia (4488), pastaj Sllovenia (3904), Franca (1577) dhe Italia me 1388 leje qëndrimi të lëshuara për shtetasit kosovarë.

Sipas EUROSTAT-it, vendi ynë është në pozitën e 17-të për sa u përket leje qëndrimeve, prapa vendeve të rajonit, si Shqipërisë (vendi 14 me 37592 leje qëndrime) dhe Serbisë (vendi 13 me 40872 leje qëndrime).

Top pesë shtetet me më së shumti leje të qëndrimeve të siguruara në shtetet e BE-së janë: Ukraina, Maroku, India, Siria dhe Brazili, ndërsa në top 10 bëjnë pjesë edhe Bjellorusia, Venezuela, Rusia, Kina për ta përmbyllur me Turqinë. Në vendin e 11-të është Afganistani, i ndjekur nga SHBA-ja në vendin e 12-të.

Në vitin 2020, rreth 2.2 milionë leje qëndrimi u lëshuan në BE për qytetarët jorezidentë të BE-së. Ky numër është ulur me 24% (ose -706 000) krahasuar me vitin 2019, rënia e parë e thellë në trendin rritës të vërejtur mes viteve 2013 dhe 2020. 

(Kosova Sot Online)