Ministria e Drejtësisë thotë se do t’i ulë tarifat e përmbaruesve privatë

  • E.K /
  • 02 November 2021 - 14:53
Ministria e Drejtësisë thotë se do t’i ulë tarifat e përmbaruesve privatë

Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të ketë ulje të tarifave të përmbaruesve privatë në Kosovë, bëhet e ditur në një komunikatë për media nga hapja e punimeve të grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për tarifat e përmbaruesve privatë.

Zëvendësministri Blerim Sallahu ka thënë se ky grup është themeluar me qëllim të ndryshim-plotësimit të Udhëzimit duke marrë parasysh “vështirësitë dhe mangësitë tashmë të identifikuara në praktikën e zbatimit të tarifave”. Madje sipas Sallahut, Udhëzimi aktual lë hapësirë për interpretime rreth çështjes së gjenerimit të tarifave.

MD-ja ka thënë se për të bërë ndryshimet e duhura është bërë analizë e studimit të kostove të shërbimeve përmbarimore nga përmbaruesit privatë dhe analizë krahasuese e shërbimeve të përmbaruesve të Kosovës me ato të rajonit.

Po ashtu është bërë e ditur se është finalizuar edhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Procedurën Përmbarimore, “i cili adreson çështjen e ndarjes së barabartë të lëndëve të pranuara nga institucionet publike me qëllim të garantimit të funksionimit të zyrave përmbarimore, si dhe eliminimin e krijimit të monopoleve”.

Grupi punues udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë dhe në të marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmbaruesi privat, Oda e Avokateve të Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, si dhe përfaqësuesi i Projektit CILC që mbështet përmbarimin. Ky proces mbështetet nga Programin për Drejtësi Komerciale i USAID-it.

(Kosova Sot Online)