Dëshmitari thotë se pa ndonjë arsye ia kishin vrarë vëllain 17 vjeçar vitin e kaluar në Prishtinë

  • A.P /
  • 02 November 2021 - 16:25
Dëshmitari thotë se pa ndonjë arsye ia kishin vrarë vëllain 17 vjeçar vitin e kaluar në Prishtinë

Dëshmitari L.B ka thënë se pa ndonjë arsye i akuzuari E.I ia kishte vrarë vëllain e tij të mitur, L.B.

“Nuk ka pasur arsye me ardh deri këtu, prej një fëmije 17 vjeçar çka po pret me t’bo dom”, ka thënë dëshmitari L.B.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë të martën, në gjykimin për vrasjen e cila kishte ndodhur vitin e kaluar në Prishtinë, për të cilën vrasje po akuzohet E.I.

E.I akuzohet se më 12 mars 2020 e ka privuar nga jeta të miturin, tani të ndjerin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Ndërsa, P.I po akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin për të fshehur armën me të cilën ky i fundit e kishte privuar nga jeta të ndjerin L.B. Kurse, L.B po akuzohet se pasi dy të akuzuarit kishin kryer veprën penale, i njëjti i kishte strehuar në shtëpinë e tij.

I akuzuari E.M në seancën e 20 majit 2021, e kishte pranuar fajësinë që e kishte ndihmuar të akuzuarin E.I që të kryejë vrasjen.

Lidhur me këtë rast, në seancën e së martës ka dhënë dëshminë vëllai i të ndjerit, L.B..

I njëjti, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Hivzi Bajraktari, ka thënë se ditën kritike kishte qenë në punë kur e kishte pranuar një telefonatë nga vëllai i tij J., se tashmë i ndjeri L.B., ishte plagosur.

Me të kuptuar këtë informacion, dëshmitari ka thënë se ishte nisur në vendin e ngjarjes tek parku në lagjen “Dragodan” dhe kur kishte mbërritur aty tha se kishte parë forca policore.

“Kur kam mbërri veni ka qenë i rrethuar me polic, e kam pa B., nuk më ka lënë policia me u afru edhe pse L., prej një distance prej 3-4 metra e kam pa, një person ka qenë duke i ofruar ndihmë mjekësore. Pas një minuti ka ardhur ambulanca, kam shkuar mbrapa ambulantes me kerr deri në spital”, ka thënë dëshmitari, raporton betimipërdrejtësi.

Ai ka thënë se nuk kishte parë ndonjë armë në vendin e ngjarjes dhe se në ato momente nuk e kishte ditur se kush ia kishte plagosur vëllain.

Por sipas dëshmitarit, pasi kishin mbërritur në spital, pas 1-2 orësh kishte kuptuar se i akuzuari E.I kishte qëlluar në drejtim të vëllait të tij.

I pyetur nga prokurori Bajraktari se cili ka qenë motivi që i akuzuari E.I e kishte qëlluar për vdekje vëllain e tij, dëshmitari ka thënë se shkak mund të ishte xhelozia.

“Nuk e di pse ka ndodhur rasti, rasti nuk ka pasur ndonjë arsye të madhe me ndodhë unë mendoj se është vetëm për shkak të xhelozisë se L., ka qenë tip shoqëror me krejt dhe kanë pas arsye me xhelozu, për kurrgjë tjetër”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari deklaroi se pas këtij rasti e kishte kuptuar se vëllai i tij i ndjerë L.B., kishte pasur një konflikt me të akuzuarin E.I.

“Më vonë e kam marrë vesh se kanë pasur një konflikt, për shkak se kur L., ka qenë me shokun e tij A., i akuzuari me katër shokë të tjerë i kanë dalë me kerr, ku kanë pasur dy armë me vete. Por, shoku i L., e ka evitu konfliktin duke e larguar L., prej aty, e ka qetësu situatën dhe nuk kanë pasur ndonjë konflikt më të madh përpos kërcënimit të armës”, ka thënë dëshmitari.

Ai e ka përmendur edhe një rast tjetër ku i akuzuari e.i me një shok të tij e kishin ndaluar tani të ndjerin L.B, dhe e kishin sharë, ku sipas dëshmitarit mes tyre ka pasur edhe konflikt fizik.

Ai tha se nuk e di arsyen e konflikteve mes vëllait të tij dhe të akuzuarit por se shtoi se ka qenë shumë i afërt me vëllain e tij dhe me të kishin biseduar gjithçka.

Pasi dëshmitari ka deklaruar se vëllai i tij i ndjerë L.B, asnjëherë nuk kishte mbajtur armë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Tahir Rrecaj ia prezantoi atij një fotografi të të ndjerit L.B, me dy armë në dorë.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në prokurori në të cilën kishte deklaruar se i ndjeri L.B, nuk kishte mbajtur armë, por se ai e kishte ndjerë veten të kërcënuar dhe ditën kritike ka mundur të ketë pasur armë me vete, por nuk e di se nga kush ka mundur ta ketë siguruar.

 “Pas konflikteve me të akuzuarin e kam thënë se nashta ka qenë i kërcënuar dhe nashta ka mujt me pas armë”, ka thënë dëshmitari.

Ai në fund ka thënë se shoku i vëllait të tij të ndjerë L.B., dëshmitari R.G ishte kërcënuar nga një person me emrin L.U, i cili i kishte thënë që të mos deklarojë për këtë rast, për shkak se duan ta shpëtojnë të akuzuarin E.I.

Por sipas dëshmitarit, ky rast nuk ishte paraqitur në polici, pasi prindi i dëshmitarit R.G nuk e kishte lejuar.

Pas dëgjimit të këtij dëshmitari, prokurori Bajraktari ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet rreshteri A.Z i cili kishte hetuar rastin dhe ka qenë i angazhuar në arrestimin e të pandehurve të cilët kanë qenë në arrati.

Ndërsa, avokati Rrecaj ka propozuar që të ftohen eksperti i armëve dhe eksperti mjekoligjor që e ka kryer autopsinë për të ndjerin L.B.

Sipas tij, eksperti i armëve duhet të deklarohet në lidhje me armën e gjetur në vendin e ngjarjes pranë trupit të të ndjerit L.B., e cila armë sipas avokatit ka qenë e demontuar, prandaj eksperti duhet të sqarojë se si ka ndodhur deri tek demontimi i asaj revoleje.

Ndërsa eksperti mjekoligjor sipas avokatit Rrecaj do të vërtetojë gjendjen dhe vetëdijen shëndetësore të të ndjerit L.B., nëse i njëjti ka qenë në gjendje të përdorë armë pasi është qëlluar apo ka ndodhur e kundërta.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga gjykata që të kërkohen të dhënat nga databaza për të kaluarën kriminale të të ndjerit L.B., gjë që e ka kundërshtuar prokurori Bajraktari, pasi sipas tij, dihet se i akuzuari Eduard Ibrahimi e ka provuar nga jeta të ndjerin L.B.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni aprovoi propozimin e prokurorit Bajraktari, që në cilësinë e dëshmitarit të ftoftë hetuesi i këtij rasti, ndërsa lidhur me propozimet e avokatit Rrecaj ka njoftuar se do të vendoset pasi të dëgjohen dëshmitarët.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 17 dhjetor 2021, në ora 13:10, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, E.I akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Ibrahimi kishte pasur konflikt disa ditë më parë me të ndjerin L.B, dhe se vrasja kishte ndodhur derisa i ndjeri kishte qenë duke ecur rrugës së bashku me të dëmtuarit R.G. dhe B. S., nga drejtimi i lagjes “Arbëria” në drejtim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, pas tyre kishin shkuar me motoçikletë-skuter i pandehuri Ibrahimi dhe i pandehuri E.M, të cilin e kishte drejtuar E.I, ndërsa prapa tij ka qenë ulur i pandehuri E.M.

Aty thuhet se kur janë afruar përafërsisht 10 metra, i pandehuri E.I e ka ulur shpejtësinë e lëvizjes dhe ka zbritur nga motoçikleta, të cilën e ka mbajtur i pandehuri E.M dhe pastaj menjëherë i pandehuri E.i e kishte nxjerr nga brezi pistoletën dhe kishte shtënë në drejtim të të ndjerit L.B, duke e qëlluar në kokë, e pastaj të dy kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në ato çaste dëshmitarët e lartcekur dhe kalimtarët e rastit ofrohen për t’i dhënë ndihmë L.B., por tani i ndjeri kishte pësuar dëmtime të rënda dhe pas disa minutave është dërguar për ndihmë mjekësore, ku edhe përkundër ndihmës mjekësore të ofruar nga mjekët në QKUK, kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas prokurorisë, pranë vendit të ngjarjes ishte gjetur një armë zjarri pistoletë e gazit “Ekol Special”, me mbushje të barotit, si dhe një gëzhojë e kalibrit 7.65x17mm që është shkrepur nga kjo pistoletë, si dhe një gëzhojë e shkrepur nga pistoleta e të pandehurit.

(Kosova Sot Online)