Edhe një dëshmitar shtesë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt

  • G.G /
  • 03 November 2021 - 11:20
Edhe një dëshmitar shtesë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt

Trupi gjykues i kryesuar nga Charles L Smith II, ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për të ftuar edhe një dëshmitar shtesë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ka filluar më 7 tetor 2021.

Ky gjykim është i dyti që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku dy dëshmitarë kanë përfunduar dëshminë e tyre, ndërkaq dëshmitari i tretë pritet të vazhdojë dëshminë e tij më 4 nëntor, ku do të përgjigjet në pyetjet e parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve.

Ndryshe, më 27 tetor 2021, trupi i gjykues ua ka vazhduar paraburgimin Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj deri në marrjen e vendimit pas pranimit të informatave që kanë kërkuar nga Policia e Kosovës (PK).

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Lexo edhe:  Mitrovicasit që mbetën të vrarë vitet e fundit, disa nga rastet ende nuk janë zbardhur
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

(Kosova Sot Online)